Tirana vlerësohet sërish nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytetet që ka bërë më shumë në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbjelljes së pemëve, shtimit të hapësirave të këmbësorët dhe vëmendjen ndaj fëmijëve.

I pranishëm në sesionin e 80 të Komitetit të OKB-së mbi Zhvillimin Urban, Strehimin dhe Menaxhimin e Territorit, i mbajtur në Gjenevë Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana është një qytet që i ka paraprirë nismës së OKB-së për mbjelljen e pemëve, duke i dhënë qytetit më shumë gjelbërim dhe frymëmarrje.

“Tirana gjithashtu ka përqafuar nismën e OKB-së për pemët, një nismë e cila i kërkon çdo qyteti të angazhohet për të mbjellë një sasi të caktuar pemësh në zonat urbane. Fatmirësisht Tirana e kishte filluar këtë 2-3 vite përpara me konceptin e “Pyllit Orbital” dhe me pemët në zona urbane. Më vjen mirë që tani kjo është bërë një platformë globale”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Tirana arriti që në një kohë të shkurtër të përballojë situatën e emergjencës pas tërmetit, ndërsa shtoi se është e domosdoshme të merren të gjitha masat për të qenë të përgatitur për çdo lloj emergjence që mund të sjellë natyra.

“Nisim një përgatitje shumë serioze edhe në nivel qytetesh, lidhur me kapacitetet tona të emergjencave. Të qenit në një forum të tillë, themelues, por dhe një nga promovuesit kryesor për ta futur agjendën e qyteteve në agjendën e Kombeve të Bashkuara, më bën të ndihem shumë krenar”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se edhe këtë sezon të ri të mbjelljeve Tirana do të mbjellë 150 mijë pemë.