Bashkë me qytetin e Bazelit në Zvicër, Tirana do t’i bashkohet një nisme ndërkombëtare për platformat Smart City, dhe aplikimin e teknologjisë së informacionit në shërbimet qeveritare, bashkiake, sektorin privat, etj. Nga Praga, ku mori pjesë në Forumin e 27-të Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo platformë është një mundësi e shkëlqyer për t’i shërbyer më mirë qytetarëve.

“Tirana do t’i bashkohet kësaj platforme të qyteteve inteligjente për të marrë disa nga eksperiencat më të mira smart city në shërbime qeveritare e bashkiake. Do të jemi pjesë e kësaj nisme bashkë me qytetin e Bazelit nga Zvicra, të cilës besoj do t’i bashkohen edhe shumë qytete të tjera, ku do të kemi mundësi të tregojmë se si me pak financa, por me shumë përkushtim e me shumë mobilizim qytetar, kemi arritur disa nga këto zhvillime në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi si të jashtëzakonshme lajmin që Shqipëria do të mbajë Presidencën e OSBE-së dhe e cilësoi këtë si një mundësi fantastike për Tiranën. “Është një lajm i jashtëzakonshëm që Shqipëria do të ketë Presidencën e OSBE-së, një arritje fantastike e qeverisë shqiptare për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme globale për paqen dhe sigurinë. Por, sigurisht, edhe një privilegj i madh për Tiranën, që duke filluar nga kjo vjeshtë, por edhe gjatë vitit 2020, do të presë një pafundësi delegacionesh. Një mundësi fantastike për të treguar qytetin, por edhe për të treguar kulturën tonë; që dimë të mbajmë pastër, që jemi të sjellshëm ndaj të huajve, që jemi mikpritës”, tha ai.

Veliaj theksoi se Tirana do të ketë mundësi për të mikpritur mbi 50 delegacione thuajse çdo javë, ndërsa shprehu angazhimin e bashkisë që Tirana të jetë kartolina e bukur e Shqipërisë moderne. “Jam shumë krenar për Tiranën. Fakti se do të kemi mundësi të mirëpresim mbi 50 delegacione, thuajse çdo javë, në qytetin tonë, më përkushton që bashkë me skuadrën e bashkisë qyteti të jetë kartolina e bukur e Shqipërisë moderne”, shtoi ai.

Gjatë punimeve të Forumit, kryebashkiaku Veliaj foli edhe për politikat Smart City në Tiranë. Forumi Ekonomik dhe Mjedisor i OSBE-së synon të stimulojë dialogun politik ndërmjet shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së për çështjet kryesore ekonomike, mjedisore e të sigurisë.