Tirana mikëpriti sot takimin e organizatave më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane, në një kohë kur kryeqyteti shqiptar është finalist për t’u shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi nismën e qeverisë shqiptare dhe qeverive të rajonit për të krijuar një hapësirë ballkanike, ku përfituesit kryesorë do të jenë të rinjtë.

“Sot jemi në një realitet krejt tjetër dhe vetëm lëvizja e lirë apo edhe nisma si ajo e kryeministrit tonë me disa nga kryeministrat e rajonit nga Maqedonia, Serbia për të pasur një hapësirë ballkanike, ku kryesisht janë të rinjtë përfituesit kryesorë që udhëtojnë pa pengesa, të kenë mundësi që diplomat e tyre të konvertohen pa kaluar një kalvar burokratik të paimagjinueshëm mes vendeve fqinjë, fare mirë mund t’i ulin këto barriera”, deklaroi Veliaj.

Ai u shpreh se nëse Tirana do të përzgjidhet si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022 do të jetë një histori suksesi. “Pasnesër jepet vendimi final i të gjitha organizatave që kanë qenë pjesë e jurisë për të akorduar çmimin e Kryeqytetit Europian të Rinisë për vitin 2022. Do të jetë një hapësirë fantastike për ta kthyer Tiranën 365 ditë me aktivitete të tilla dhe kemi përgatitur një program shumë ambicioz. BE me disa vende nuk janë gati që të fillojnë negociatat tani, ne do të hyjmë në një betejë tjetër, për të shpallur Tiranën kryeqytet europian për temën që kemi më afër zemrës, që është tema e rinisë”, deklaroi kryebashkiaku.

Duke folur para dhjetëra të rinjve dhe përfaqësuesve të lartë nga vendet e rajonit, Veliaj foli edhe mbi sfidat e të rinjve. Një prej tyre është edhe rritja e iniciativës së sipërmarrjes. “Shpirti i sipërmarrjes do duhet të na bashkohet edhe në Ballkan. Ky është një koncept që duam ta fuqizojmë. Kemi një program fantastik me fondacionin amerikan, besoj që të fusim nismat e sipërmarrjes, se sipërmarrje do të thotë edhe në shoqërinë civile”, u shpreh ai, ndërsa theksoi rëndësinë që shumë prej nismave të kenë edhe një karakter global.

Ndaj, një nga projektet më të rëndësishme do të jetë edhe transformimi i Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit në Ballkan, ku shumë prej të rinjve dhe të rejave do të mësojnë gjuhën e kodimit dhe të aftësohen nis profesionet e së ardhmes. “Nëse nuk flet gjuhët e reja të revolucionit dixhital, atëherë nuk kemi të ardhme. Kjo është një ndër arsyet pse vitin tjetër do të transformojmë Piramidën e Tiranës, që është hapësira më e madhe dhe prona më e lakmuar e qytetit, në një hapësirë për të rinjtë, për atë që quhet aftësimi dixhital. Në Tiranë besojmë t’i vëmë paratë aty ku kemi zemrën dhe zemra jonë është tek rinia. Kjo është arsyeja pse jemi përgatitur të financojmë një vit shumë të suksesshëm të kryeqytetit evropian të rinisë, po me qeverinë, duke u dhënë të rinjve pronën më të shtrenjtë e më të lakmuar e më qendrore, tregojmë realisht ku i kemi prioritetet”, theksoi Veliaj.

Kreu i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi nënvizoi se eurorajoni Adriatiko-Jonian është aktor i rëndësishëm i nismës, së bashku me Konferencën e rajoneve detare të Europës. “Bregdeti, zona e Adriatikut dhe Jonit është një pasuri e çmuar për të rinjtë, sepse potenciali i turizmit, agroturizmit, agrikulturës përfshirë nevojat e sotme për zhvillim e territorit, teknologjisë dhe inovacionit në këto fusha kanë nevojë për dialog, netëork, shkëmbim eksperiencash”, tha Dalipi.