Të premten nis java e 12 e Superligës me klasiken e Shqipërisë ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Një ndeshje që pritet me shumë interes për disa arsye, por më së shumti për situatën nga e cila vijnë dy ekipet. Gjithsesi ajo do të luhet pa praninë e tifozëve, pasi Tirana është e dënuar nga disiplina. Ka qenë klubi bardheblu që dy ditë para ndeshjes ka bërë të ditur këtë detaj, pasi sipas saj disiplina nuk e ka llogaritur ndeshjen e kupës me Shënkollin.

Në prag të sfidës Julian Ahmataj e pranon se mungesa e tifozëve është një minus për Tiranën, ndërsa përsa i përket sfidës deklaron:

“Ne e dimë që Tirana do të hyjë në ndeshje vetëm për fitore. Kjo nuk do të bazohet vetëm të dëshira, porn ë bazë të logjikës së lojës dhe asaj që do të shprehim në fushën e gjelbër.”

Në kampin kundërshtar situata nuk është edhe aq pozitive, sidomos pas humbjes me Bylisin. Po për trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz, i cili është dënuar me dy ndeshje pezullim për shkak të deklaratave kundër arbitrave, gjërat mund të ndryshojnë pas ndeshjes me Tiranën.

“Kam folur gjatë me lojtarët e mi dhe të gjithë po mundohemi të dalim nga ky moment ku ndodhemi. Është shumë normale që çdo ekip të kalojë një krizë në një moment të caktuar, por e rëndësishme është që të dalim sa më shpejt prej saj dhe do të tentojmë ta bëjmë që në ndeshjen me Tiranën.”

Ndeshja e fazës së parë është fituar nga Tirana me rezultatin 0-2, ndërsa sfida e të premtes do të nisë në orën 18:00.