Tifozët e Milanit e kanë publikuar një deklaratë në të cilën thonë se klubi është i dobët dhe sërish po dështon në arritjen e synimeve, pasi raportohet se trajneri i shkarkuar mbrëmë, Marco Giampaolo, do të zëvendësohet me Stefano Piolin.

Marco Giampaolo u shkarkua sot, pas vetëm shtatë ndeshjeve në drejtim të Milanit dhe vetëm pas 111 ditëve në postin e trajnerit të kuqezinjve, që e thyen rekordin e klubit për trajnerin që shërbeu për kohë më të shkurtë, transmeton Gazeta Express.

Pioli tashmë është në një hotel në Milano dhe ai pritet të zyrtarizohet sot si trajneri i ri i Milanit, mirëpo tifozët janë të zemëruar që klubi i tyre po e emëron trajnerin e nëntë që kur Massimiliano Allegri u shkarkua në janar të vitit 2014.

“Ka kaluar koha… duhet ta dëshmoni veten! Kjo shkruhej në koreografinë që e shfaqëm të shtunën gjatë ndeshjes kundër Genoas, duke e përfaqësuar një pjesë të madhe të tifozëve të Milanit që janë të lodhur nga turpërimi i vazhdueshëm i klubit”, thuhet në deklaratën e Curva Sud.

“Sa herë që mendojmë se e kemi arritur pikën më të ulët, situata bëhet edhe më e keqe. Ne e kemi mbështetur projektin e ri me lojtarët e rinj në moshë, e kemi pranuar me zemër të rënduar faktin se nuk do të shohim yje të transferohen këtu, të paktën për momentin”.

“Ne e shikuam, të tronditur, epokën e dështuar të Giampaolos, një zgjedhje që ishte përkrahur fuqishëm nga drejtuesit aktual vetëm sa për t’u hedhur për dritare pa kaluar as tre muaj punë (me të drejtë)”.