Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin për Siguri që po mbahet në Budva të Malit të Zi ka deklaruar se përkundër vonesave që po bën BE-ja për Kosovën, e ardhmja e kësaj të fundit është vetëm në unionin europian.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, marrëveshjes së Prespës, komunikimit mes shteteve të rajonit, rajoni është në rrugë të sigurt për të ardhmen atlantike. Unë jam veçanërisht i pakënaqur, që pavarësisht punës së mirë që ka bërë Kosova, Bashkimin Evropian po bën vlerësime të standardeve të dyfishta për Kosovën. Por, alternativa jonë është e vetmja e ardhmja për Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se izolimi që është duke i bërë BE-ja shtetit të Kosovës, do të krijojë premisat që të vihen në pah ide populiste dhe nacionaliste.

“Rajoni kurrë më mirë nuk ka qenë, secili flet me secilin dhe komunikojmë. Mundësitë për mbyllje të çështjeve të hapura ekzistojnë, por vet BE duhet të jetë më i përgatitur për të na pranuar më shpejt. Mos të lejojmë që të shikohet me hezitim Ballkani Perëndimor. Sa më afër BE gjitha problemet mund t’i kalojmë… Sa më tepër që vonohet BE do të ketë më shumë popullizëm dhe ide nacionaliste më të fuqishme në gjitha shtetet e rajonit. Falë urtësisë për durimin kemi tejkaluar dhe një gjendje jo të lehtë mes dy shteteve për demarkacionin. Ky izolim i Kosovës po duket si një diskriminim. Nëse mbetët i izoluar, Kosova do të ketë ide dhe frymë më shumë populiste dhe nacionaliste”, tha ai.

Thaçi në këtë forum ka folur edhe për kulturën multientike që dominon në Kosovë.

“Sot patriotizmi më i madh është kultivimi i multietnicitetit, zhvillimi ekonomik, sjellja e investitorëve, vendet e punës dhe mirëqenia sociale. Kemi punuar me të gjitha komunitete jo shumicë për formimin e një shoqërie multietnike, në këtë drejtim është vërë progres i madh. Edhe sot në të gjitha institucionet edhe parlament edhe qeveri janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet”.

Gjithashtu i pari i shtetit të Kosovës komentoi edhe aksionin e Policisë, i zhvilluar disa ditë më parë në Veriu ku në pranga përfundua 31 persona, mes tyre policë shqiptarë dhe serbë të akuzuar për një sërë veprash penale.

“Është goditur një rrjet i krimit të organizuar multietnik, jo vetëm në veri po në gjithë Kosovën. Nuk do të thotë që je serb, ki imunitet ndaj krimit, apo shqiptar. Serbët e Kosovës po mbesin peng I politikave të Beogradit”-shtoi ai.