Tetori është muaji i cili i përkushtohet luftës kundër kancerit të gjirit, ndërsa shiriti rozë, prej vitesh një simbol i njohur për ngritjen e vetëdijes për rreziqet e kancerit të gjirit.

Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, zgjodhi karafilat rozë, për të inkurajuar dhe vlerësuar ekipin e “Volley Police”, për kontributin e tyre në ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e grave dhe vajzave në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Ju me nismën që keni marrë i përshtateni më së miri mesazhit “Unë mundem, ju mundeni”. Ky mesazh në komunitet shpërndahet nëpërmjet jush, sesi çdo njeri së bashku apo në mënyrë individuale, mund të ndihmojë në reduktimin e kancerit te gjirit”-, theksoi Hajnaj.

“Falënderoj dhe mbështes nismën që kanë marë 3 vajzat e Ekipit “Volley Police”, për të qenë vrapuese nē maratonën që zhvillohet sot, për sensibilizimin në kuadër të ndërgjegjësimit, ndaj luftës kundër kancerit tē gjirit’-, shtoi ajo.

“Vlerësimi dhe integrimi i grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit, është një ndër elementët më të rëndësishëm, për një shërbim policor profesional, transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës”-, theksoi Hajnaj.

Sipas saj, “promovimi i vlerave të grave dhe vajzave është tepër i rëndësishëm, jo vetëm për një policim të suksesshëm dhe efektiv, por dhe për arritjen e barazisë gjinore brenda radhëve të Policisë”.

“Këtë që unë thashë më sipër e konfirmon më së miri dhe ngritja e këtij ekipi volejbolli me pjesëmarrjen e punonjëseve nga struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit. Përfshirja e Policisë me nxënësit e shkollave dhe jo vetëm, përmes ndërthurjes “Art & Sport – Komunitet & Polici” dhe aktivitetet që kryejnë, synojnë të krijojnë marrëdhënie të mira me komunitetin, të krijojnë besim dhe të rrisin bashkëpunimin mes Policisë dhe komunitetit”-, nënvizoi Hajnaj.

“Ju falënderoj për nismën që keni marrë dhe me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i cili sot ndodhet në një vizitë zyrtare, ju përcjell mbështetjen tonë dhe ju inkurajoj për vazhdimin e mëtejshëm, me qëllim krijimin dhe forcimin e besimit se Policia dhe komuniteti së bashku mund të bëjnë vetëm gjëra te bukura”-, përfundoi zv/Drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.