Është mbyllur faza e dytë e konkurrimit për 1040 kandidatë që u përzgjodhën pas testimit me shkrim për Patrullë të Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për testimin fizik të kandidatëve, ku për të parë nga afër ecurinë e testimit ka qenë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Lleshaj u shpreh mjaft i kënaqur për ecurinë, duke theksuar se kjo do të ndikojë në fuqizimin e trupës së Policisë. Ministri theksoi se me pranimet e reja, do të ulet gradualisht edhe mosha mesatare në Policinë e Shtetit.

“Pranimi i 600 kandidatëve të rinj në Akademinë e Sigurisë është investimi më i madh që Policia e Shtetit bën në kapitalin e saj njerëzor. Do të pranohen 500 kandidatë, të cilët fillojnë në Patrullën e Përgjithshme dhe 100 kandidatë të tjerë, të cilët pasi kanë mbaruar Universitetin do të futen në Policinë Kriminale të vendit. Ky investim i rëndësishëm i Qeverisë, i Policisë së Shtetit është përpjekja më serioze e viteve të fundit për të rigjeneruar trupën e Policisë dhe për modernizimin e saj. Shoh me kënaqësi që kandidatët e paraqitur në këtë konkurrim janë mjaft të angazhuar, të motivuar, që japin shpresë të madhe për një hop të ri cilësor në aktivitetin e Policisë së Shtetit”, tha ministri i Brendshëm.

Aplikantët që do të marrin pikët e mjaftueshme pas dy testeve të para, atij me shkrim dhe fizik, do të zhvillojnë në ditët e ardhshme testin psikologjik. 1040 kandidatë garojnë për 500 vende në Patrullën e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.