Ekipe zjarrfikësish, inxhinierësh, të ndihmës së shpejtë dhe emergjencave civile kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës, në Durrës, Thumanë dhe Tiranë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundmi kanë dërguar inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura.

Ambasada Amerikane njofton në Facebook se, ky ekip do të ndihmojë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve.

“USAID ka dërguar dje inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura, si pjesë e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për rimëkëmbjen nga tërmeti. Ky ekip do të ndihmojë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve.”