Tirana ka lënë pas fazën e emergjencës që krijoi tërmeti i javës së shkuar dhe ka hyrë plotësisht në fazën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të të gjitha banesave të dëmtuara. Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi shtëpinë familjes së Rifat Agës, ku i premtoi vajzës së tij, Oksanës se falë edhe kontributit të donatorëve të ndryshëm Vitin e Ri do ta kalonin në shtëpinë e tyre të re.

Menjëherë janë bërë matjet dhe mjetet e rënda kanë nisur punën për të mbajtur këtë premtim të dhënë. Lajmin e bën të ditur kryetari Veliaj, i cili ka publikuar në rrjetet sociale edhe një video me pamjet nga puna që po zhvillohet për ndërtimin e shtëpisë së Rifatit, i cili prej 30 vitesh i ka shërbyer shtetit dhe shoqërisë si një polic i ndershëm.

“Pardje ishim tek shtëpia e këputur e policit të ndershëm Rifat Aga në Vishnje për të çuar ndihmat e para dhe një përqafim bashkë me Blerina Gjylametin dhe Toni Gogun. Totalisht e shkatërruar nga tërmeti dhe e parikuperueshme. Sot nisi puna për të ndërtuar shtëpinë e re të Rifatit e katër fëmijëve të tij në Vishnje. Për 30 vite Rifati i ka shërbyer Tiranës si polic shembullor. Për 30 ditë ne do t’i ndërtojmë shtëpinë e re. Tirana jonë është mirënjohëse dhe solidare! Sot më shumë se kurrë”, mbyll komentin e tij Veliaj.

LINK: https://twitter.com/erionveliaj/status/1178217808469123074