Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi sot se fjalët e ngushëllimeve dhe të hidhërimeve nuk janë asnjëherë të mjaftueshme në këtë situatë që gjendet vendi, por jemi këtu që të japim një mesazh optimizimi dhe shprese të gjithë atyre që kanë humbur pjesëtarë familje”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Margariti tha se “mbi të gjitha për ti dhënë një mesazh shprese dhe optimizmi të gjithë rinjve që këtë do ta përjetojnë si një mesazh historik të jetës së tyre”.

“Shumë prej nesh u gjenden para faktit se duhet të qëndronim më të ftohtë dhe shumë prej nesh morën detyrën e vështirë për të krijuar, ndërkohë që grupe të tëra ecnin përpara me kërkimin e personave të humbur nën gërmadha, të kërkonin një vizion më të mirë , një vizion shprese për të rimëkëmbur, sepse shumë shpejt do të vinte dita që njerëzit do të fillonin dhe do të kërkonin me ngulm këtë vizion”-, nënvizoi Margariti.

Kjo, vijoi ajo, nuk ka lidhje vetëm me solidaritetin apo me faktin që është një detyrë e qeverisë , por vizioni i një zgjidhjeje në momente të tilla është vërtetë kyçi i hapave të shëndoshë dhe i shpresës jo vetëm për komunitetet e prekura, por për kombin e tërë.

“Vendosëm që asnjë minutë nuk duhej humbur dhe filluam të ndërtonim shpejt rrugën e duhur, hapat që duhet të ndërmerrnim dhe për këtë kam një falënderim të veçantë jo vetëm për vendet fqinje, por edhe për ekspertët lokalë , të cilët na kanë ndihmuar për të krijuar një rrugëtim të shëndoshë për të mos humbur asnjë moment kohë. Vendet fqinje me eksperiencën e tyre që kanë kaluar me tërmete të tjera jo shumë vite më parë na kanë këshilluar se rrugëtimi i parë ishte ai i krijimit të vizioneve afatgjata dhe jo i një rimëkëmbje të përkohshme”,- theksoi Margariti.

Sipas saj, ky ka qenë edhe fokusi ynë në këto ditë, në këtë javë fatkeqësie për të krijuar këtë rrugëtim të shëndoshë, i cili është një rrugëtim që nuk duhet të ndalet vetëm në shërimin e plagës, por duhet të krijojë atë që më pas mund të jetë një moment i artë zhvillimi i komunitetit dhe të rinjve.

“Pas kalimit të kësaj faze imediate të akomodimit të familjeve, të cilët nuk mund të kthehen në banesat e tyre fillon një fazë tjetër e rëndësishme, një fazë që ka nisur tashmë me evidentimin e dëmeve dhe nevojave, por kjo duhet të jetë e mirëmenduar dhe të jetë afatgjatë që të ofrojë një të ardhme jo vetëm për Tiranën, Durrësin, Thumanën, Lezhën dhe Laçin. Nuk duhet të shërojmë një plagë sot duke krijuar një plagë sociale më vonë”, – tha Margariti.

Ministrja u shpreh se “të gjithë të prekurit nga tërmeti duhet dhe meritojnë një të ardhme më të sigurt, më të mirë më të shëndetshme por siç kemi thënë e përsëritur këto ditë jo me vulën e atyre të prekur nga tërmeti. Nevojitet të kalojmë në fazën e dytë atë të hartimeve të projekteve konkrete afatmesme dhe afatgjatë për këtë rimkëmbje”.