Nga muaji Tetor do të hapë dyert spitali i ri i kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim prej afro 9 milion euro ku për herë të parë kirurgjia shqiptare do të ketë në dispozicion 7 salla operacioni të pajisura me aparatura të teknologjisë së fundit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi në një intervistë për ERTV se një prej këtyre sallave është dixhitale, për t’u mundësuar studentëve të mjekësisë të ndjekin drejtpërdrejt përmes kameras ndërhyrjet kirurgjikale që kryhen aty.

“QSUT si një spital universitar ka përgjegjësi edhe përgatitjen e kirurgëve të rinj dhe ne duhet që t’i përgjigjemi nevojave të studentëve. Ndaj edhe në kuadër të Paktit për Universitetin kemi vendosur që kjo sallë të jetë e veçantë. Në llampën e operacionit ka të instaluar një kamera e cila regjistron gjithë ndërhyrjet operatore që më pas transmetohen nëpërmjet sistemit të telemjekësisë kudo, te stafi i QSUT apo studentët të cilët do kenë mundësinë ta ndjekin një ndërhyrje kirurgjikale sikur të ishin brenda në sallë”, shpjegoi Manastirliu.

Spitali i ri i kirurgjisë ka një kapacitet prej 120 shtretërish dhe rreth 8000 ndërhyrje në vit, për t’i shërbyer 60 mijë pacientëve. Shtimi i kapaciteteve, infrastruktura dhe aparaturat e reja do të krijojnë mundësinë që në kirurgji tashmë të punohet me dy turne, për të ofruar më shpesh shërbimet e ndërhyrjeve kirurgjikale.