Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro deklaroi në studion e “ABC news” se artistët janë pjesë e rëndësishme e procesit të negociatave për Teatrin e ri Kombëtar dhe mendimi i tyre si grup interesi do të dëgjohet me shumë kujdes në këtë proces. E pyetur në lidhje me debatin për Teatrin Kombëtar, ministrja Kumbaro u shpreh se tashmë ka kaluar vetëm ligji, që përcakton fillimin e procedurës për këtë teatër. Negociatat mes palëve dhe shqyrtimi i projekteve, do të çojnë tek finalizimi i procesit për Teatrin e ri.

Ministrja tha se projekti që do të fitojë duhet t’u përgjigjet ambicieve për një teatër bashkëkohor dhe të denjë për një Tiranë europiane.

Sipas Kumbaros, pavarësisht nostalgjive të gjithësecilit, përfshirë edhe kundërshtarët e Teatrit të ri, Tirana me 1 milionë banorë ka nevojë për teatro dhe salla të reja.

Kumbaro foli edhe për punën e ministrisë që drejton, për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore si dhe për turizmin kulturor.

Ministrja theksoi se kalendari artistik i sezonit të verës rreshtoi 500 aktivitete në 3 muaj, në shumë zona të vendit dhe me kontributin e bashkive. Kjo sipas Kumbaros, e bëri Shqipërinë një emër mjaft të përmendur së fundmi në mediet ndërkombëtare si destinacion turistik.