Ka një fokusim të autoriteteve kompetente për zbatim të vizionit të qeverisë për kulturën dhe trashëgiminë. Sjellja ndaj trashëgimisë është një tregues shumë i rëndësishëm civilizimi për një komb pasi tregon jo vetëm respekt për të kaluarën por edhe domosdoshmëri për evidencën objektive që siguron lidhjen adekuate të hallkave të periudhave kohore në zinxhirin e gjurmueshmërisë historike në të gjitha fushat e aktivitetit njerëzor.

Nga ana tjetër trashëgimia merr dimensione të gjera dhe konsiderohet sipas klasifikimit të vlerave një pasuri e përbashkët e njerëzimit në kuadër rajonal, europian dhe botëror.

Ka një sfidë konflikti interesash gjithnjë në rritje për ruajtjen e një balance ndërmjet nevojave për zhvillim social-ekonomik dhe për mbrojtjen e trashëgimisë të paluajtshme.

Trashëgimia e gjuhës së folur konsiderohet një pasuri e jashtëzakonshme specifike që karakterizon fizionominë moralo-psikologjike të kombit tonë. Gjuha shqipe është vlerësuar në radhët e para të gjuhëve më të vjetra në botë dhe ky vlerësim duhet të na bëjë krenar dhe të përgjegjshëm për ta ruajtur me çdo çmim këtë pasuri të trashëguar brez pas brezi pasi na identifikon e bashkon si komb.

Teatri konsiderohet me të drejtë edhe nga vetë aktorët si ‘tempulli’ i artit të gjuhës së folur tek publiku, pasi i tillë konsiderohej edhe nga njerëzit e mençur të lashtësisë dhe vendosej në qendër të qytetit si një nga elementët përbërës të tij.
Në këtë linjë logjike teatri kombëtar mund të konsiderohet si ‘krye-tempulli’ i këtij lloj arti në vendin tonë.

Teatri është një institucion shumë i rëndësishëm social që përmban një simbolikë të fuqishme qytetërimi, me një zanafillë të lashtë në këto troje të pozicionuara në qendër të zhvillimeve të qytetërimit botëror, siç dëshmohet edhe nga sitet arkeologjike të zbuluara deri më tani. Teatri është një art kompleks, që përfshin elementë të llojeve të tjera të artit: letërsisë, muzikës, pikturës, sculptures, arkitekturës dhe fokus artin e aktrimit.Meqenëse kohët e fundit ka një debat publik për rijetëzimin e teatrit kombëtar me anë të një projekti zhvillimor të ofruar, është shumë e rëndësishme që ky debat të fokusohet në një drejtim progresiv dhe të përdoret ky moment për gjenerimin e ideve dhe propozimeve konstruktive që do të japin efekt afatgjatë të vlefshëm në ndryshimin e situatës të papranueshme dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme kombëtare për përmirësimin në vazhdimësi të cilësisë të të gjithë elementëve që përbëjnë teatrin në referencë me praktikat më të mira europiane.

Debatet duhet të kenë etike ndaj sjelljes sociale dhe pronësisë sepse deklarime që ndikohen emocionalisht prej interesave të ngushta dhe debatet konfrontuese që nuk përmbajnë propozime adekuate për problemet e teatrit, nuk kanë efektin e duhur për publikun të cilit i dedikohet ky lloj arti, dhe si të tilla mund të konsiderohen me risk jo vetëm për harxhimin e energjive në drejtim jo-konstruktiv por edhe për një mungesë respekti me përdorimin e fjalëve e veprimeve të papërshtatshme që mund të krijojnë ‘ndotje psikike’ të publikut.

Vendi ynë është në një proces integrimi europian dhe përmirësime kërkohen edhe në drejtim të direktivave dhe kërkesave për kulturën dhe trashëgiminë, për të qënë në gjendje të prezantohemi dhe bashkëpunojmë me dinjitet me profesionistët europianë edhe në fushën e teatrit.Debati për të ardhmen e teatrit kombëtar nuk është një debat i zakonshëm, dhe meqënëse ka interes të theksuar publik, kërkon krijimin e hapësirave për marrjen e mendimeve nga njerëz elite me integritet të lartë dhe vizionarë.
Për interes kombëtar ky debat duhet të shfrytëzohet si një pikënisje edhe për ndryshimin e mentalitetit për rëndësinë e artit dhe trashëgimisë në jetën sociale të popullit tonë, dhe për këtë arsye është domosdoshmëri të përfshihen njerëz me kapacitete intelektuale progresiste brenda dhe jashtë vendit të cilët mund të gjenerojnë propozimet më optimale me efekte të shumëfishta përfituese për publikun dhe që mund të vlerësojnë me ndershmëri edhe idetë e njerëzve të zakonshëm.

Ndërtesa e teatrit duhet të jetë patjetër madhështore jashtë dhe brenda, si në një tempull. Komunikimi viziv me monumentalitetin e ndërtesës të tempullit përmban energjinë magnetike shpirtërore për publikun, i imponon respekt, bindje dhe lidhje të forte me shenjtërinë të cilës i dedikohet.

Teatër vjen nga greqishtja theatron (latinisht: theatrum) që ka kuptimin ‘vendi për shikim’, prandaj para së gjithash tërheq vëmendjen në këtë aspekt komunikimi që transmetohet tek publiku. Madhështia krijon gjurmë mbresëlënëse dhe krenarie në memorie, e detyron çdo njeri të duket i vogël karshi këtij arti ndërsa figurën e aktorëve e rrit dhe e shenjtëron më shumë karshi publikut.Çdo njeri mund t’i bëjë vetes pyetjet e mëposhtëme dhe le ti japë vetë përgjigje :

1. Aktualisht ndërtesat bazë që përbëjnë teatrin kombëtar të Shqipërisë, a kanë madhështinë e merituar për një tempull të artit teatral ?

2. Përse në këto ndërtesa në vitin 1938 u përdorën masivisht si material ndërtimi ashklat dhe lënda e drurit : pllaka tallashi të gozhduara në skelet druri për strukturimin e mureve; kapriata prej druri për strukturimin e mbulesës të çatisë; trarë, dërrasa dhe ristela për strukturimin e shkallëve, të një pjese të llozhave, të suprinës të skenës dhe konstruksionit poshtë saj, etj. ?

3. Përdorimi i drurit si pjesë përbërëse të elementëve të ndërtesës a i bën të konsiderohen të përkohëshme, pra me jetëgjatësi përdorimi relativisht më të ulët në krahasim me materiale të tjera më të qëndrueshme?

4. Përse ndërtesat e tjera kryesore publike të së njëjtës periudhë janë ndërtuar me materiale më të qëndrueshme dhe kanë një arkitekturë mbresëlënëse me fasada hijerënda me kolona që me madhështinë e tyre mund të konsiderohen edhe sot si tempuj për atë që përfaqësojnë? ( si psh ndërtesa e Bankës së Shqipërisë si tempulli i monedhës shqiptare; ndërtesa e universitetit dhe ato në të dy krahët e saj në fund të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ si tempuj të dijes, kulturës dhe artit, dhe kështu me radhë me ndërtesat e tjera të periudhave të mëvonëshme si psh: Pallati i Kulturës me Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin e Operës unike në vendin tonë; Muzeu Kombëtar Historik etj).

Gjatë debatit publik për ndërtesën e Teatrit të ri Kombëtar ka patur mendime që të ruhen ndërtesat ekzistuese dhe teatri i ri të ndërtohet në vende të tjera psh: në anën veriore të qytetit pranë Bulevardit të ri.

Ka patur edhe propozime inatçore bizarre që teatri i ri të ndërtohet në vendin ku tashmë është kryeministria ose në sheshin pas saj. Por ka patur edhe 2-3 propozime personale të respektueshme për projekt-ide rijetëzimi duke ruajtur strukturën aktuale me shtesa të tjera.

Nga ana tjetër ka një konsensus prej të gjitha palëve të interesuara prej faktit që kushtet aktuale në ambientet e punës dhe të akomodimit të stafit dhe publikut në teatrin kombëtar nuk janë adekuate, dhe kërkohen ndërhyrje dhe investime për përmirësime afatgjata, kjo e evidentuar edhe nga ekspertizat e Institutit të Monumenteve të Kulturës, të Institutit të Ndërtimit dhe të konfirmuar nga organet kompetente që administrojnë këtë pronë publike dhe mbajnë përgjegjësi ligjore për përmirësimin e kushteve të punës, sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të stafit të teatrit dhe të publikut, për zhvillimin e kulturës dhe artit skenik, për zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe zhvillimin urbanistik të qytetit etj.Duke patur parasysh që këto ndërhyrje janë emergjente ato duhet të jenë efikase dhe në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi si psh: standardet bashkëkohore për ndërtesat e teatrit, ligji për performancën e energjisë në ndërtesa, ligji për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit, rregullat specifike për eliminimin e barrierave arkitektonike për grupet e komunitetit me aftësi të kufizuara, rregullat e reja të Komisionit Europian që parashikohen të hyjnë në fuqi për përdorimin e paisjeve të ndriçimit ‘eco-friendly’ etj.

Nga një analizë të efikasitetit të këtyre ndërhyrjeve, të kërkesave të jetëgjatësisë, të domosdoshmërisë për përmirësime të thella dhe dinjitoze, të nivelit të prioritetit të përdorimit të fondeve publike krahasuar me domodoshmërinë për përdorim të tyre në fusha të tjera me interes për përmirësimin e kërkesave bazike për jetesë të popullsisë : konkludimi është drejt variantit logjik të ndërtimit të një ndërtese të re.

Pra çdo njeri i interesuar në vazhdim mund të bëjë pyetjen: Ku dhe si duhet ndërtuar teatri i ri kombëtar i Shqipërisë ?

Përgjigjja ime sipas vazhdimit të linjës logjike të mësipërme është e trefishtë :
a) në qëndër të qytetit sipas traditës së lashtë,
b) me një ndërtesë madhështore të merituar për një kryetempull të artit skenik, dhe
c) pikërisht në vendin aktual të shënjtëruar tashmë nga trashëgimia e disa brezave të aktorëve dhe të publikut, sipas traditës që tempujt ndërtohen në vende të shenjta.

Kjo përgjigje krijon vetvetiu pyetjen tjetër : Po me godinat ekzistuese që përbëjnë teatrin kombëtar dhe trashëgiminë e tyre çfarë do të bëhet ?

Kjo është një pyetje shumë sensitive për publikun dhe shqetësuese për aktorët që kanë krijuar lidhjen emocionale dhe shpirtërore me ambientet aktuale, pasi në të ardhmen në terma teknike nevojiten punime ndërtimi ‘prishje’ për të liruar sheshin për të filluar punimet e ndërtimit të ndërtesës të re të teatrit kombëtar.

Fjalë të tilla të gjuhës shqipe si prishje, shkatërrim, rrafshim, rrënim, humbje etj në këtë kontekst kanë efekt psikologjik negativ dhe shpesh edhe revoltë fillestare të brendshme të justifikuar që lidhen me pasigurinë për ruajtjen e trashëgimisë dhe nga faktorë familjarizimi relativ me situatën.
Pra është me leverdi të madhe që në këto momente debati të përqëndrohet në çështjen e ruajtjes së trashëgimisë të teatrit kombëtar dhe kjo të shërbeje për një mentalitet të ri të sjelljes ndaj trashëgimisë edhe për të gjithë institucionet artistike publike dhe private në të gjithë vendin ato por edhe për fushat e tjera te aktiviteteve ekonomiko-sociale.
Ky debat duhet të jetë gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara për ti propozuar autoriteteve vendimmarrëse me forcën e arsyes dhe të argumentit mënyrat më të mira të mundëshme.

Pra formula perfekte për mendimin tim është ajo që përmban brenda progres dhe civilizim “Teatër i ri madhështor dinjitoz dhe ruajtje bashkëkohore të trashëgimisë teatrore kombëtare”.

Pyetja tjetër për diskutim është : Çfarë do të konsiderojmë trashëgimi teatrore kombëtare dhe kush do ta menaxhojë këtë proces?

Përgjigjja më e mirë është : Trashëgimia do të vlerësohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare me përfshirjen e institucioneve kompetente dhe profesionistëve më të mirë vendas dhe në bashkëpunim me organizmat europiane kompetente.

Duke patur parasysh që trashëgimia ndahet në të paluajtshme dhe të luajtshme, në këtë kontekst për teatrin kombëtar ekzistues mund të merret ne konsideratë, për të analizuar vlerat e trashëgimisë, çdo element që ka lidhje me historikun e aktiviteteve të këtij institucioni që ndahen në dy kategori të mëdha në burimet njerëzore dhe burimet materiale ( skenaristët, regjisorët, aktorët, stafi mbështetës, evidenca dokumentare e shkruar, audio, video etj, elementët që përbëjnë ambientet dhe kushtet e akomodimit, pajisjet, instrumentet, aksesoret etj).

Unë duke qenw pjese e grupit tw inspektimit nw terren tw Institutit tw Ndwrtimit nw zbatim të kërkesës tw autoritetit shtetëror kompetent pwr skanimin dhe vlerësimin e kushteve nw punëdhe sigurisë të stafit dhe të publikut nw ambientet e Teatrit Kombëtar, kwtë detyre e kam konsideruar si një privilegj për të hyrë pothuaj në të gjithë ambientet të cilat nuk janw destinuar për publikun.

Publiku vështron fasadën e jashtme, sallën e hyrjes, sallën e shfaqjes ku i paraqitet produkti artistik dhe talenti i aktoreve së bashku me efektet e tjera skenike si skenografia, ndriçimi etj, por pjesa më e madhe e ambienteve janë destinuar për shërbime mbështetëse.

Kam përjetuar emocione të veçanta përgjegjshmërie, respekti, trishtimi dhe shprese si dashamires i këtij arti dhe si një mbështetës i trashëgimisë në të gjithë fushat e aktivitetit njerëzor.

Gjatë ekzaminimit vizual dhe momenteve të dokumentimit fotografik nga ana ime të situatave problematike, emocioni mbizotërues ishte trishtimi, zhgënjimi dhe një zvogëlim i perceptimit për madhështinë e historisë të këtij teatri dhe të aktorëve.
Pyetjet që çdo kush do ti bënte vetes si qytetar nëse do të kishte mundësi ti bënte një vizitë të thjeshtë ambienteve, do të ishin patjetër :

1. A janë këto kushtet e punës dhe të akomodimit që i japin dinjitetin e merituar dhe mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e jetës të stafit të teatrit dhe sidomos publikut që i kërkohet të hyjë të konsumojë produktet artistike?
2. Cilët janë shkaqet që sjellin pasojën e kundërshtimit të propozimit të ndërtimit të një ndërtese të re të teatrit?
Duke e ditur që teatri kombëtar si institucion është pronë shtetërore që administrohet nga organi kompetent, pa dyshim që i gjithë aktiviteti zhvillohet sipas marrëdhënieve juridike të tipit punëdhënës-punëmarrës, atëherë çfarë përgjegjësie dhe detyrimi kanë stafi i teatrit për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e pronësisë dhe trashëgimisë së tij?

Elementin më me vlerë në debatin aktual për teatrin unë konsideroj merakun e sinqertë të aktorëve për ruajtjen e trashëgimisë së artit të tyre. Kjo aktualisht është mbresëlënëse për publikun.
Por a ka evidence objektive që ky merak i aktorëve për ruajtjen e kësaj trashëgimie të ketë qënë konstant edhe në periudhat kohore të mëparëshme dhe cilët janë veprimet dhe efektet e tyre në këtë drejtim ?

Për respekt të publikut është mirë që çdo aktor në heshtje ti japë përgjigje kësaj pyetje: Çfarë propozimesh ose veprimesh kam bërë në vazhdimësi për ruajtjen dhe dokumentimin e historisë dhe trashëgimisë personale dhe asaj kolektive të teatrit dhe a janë këto veprime adekuate?
Gjate inspektimit në ambientet ku përfshihen godinat e teatrit kombëtar vura re me kënaqësi që ka një trashëgimi të pasur pothuaj në të gjithë ambientet e saj, duke përfshirë skenografinë, magazinën e ruajtjes të veshjeve teatrale, të objekteve të ndriçimit, të pajisjeve të audios, për make-up, objekte shërbimi për aktorët dhe pa tjetër që në arkivën dokumentare ka thesare që rrinë të fshehura. Gjithashtu edhe në shtëpitë e aktoreve dhe të publikut ka patjeter gjurmë personale dhe familjare të trashëgimisë në vite, të cilët duhet të evidentohen me durim dhe kujdes sa nuk është vonë.
Situata aktuale ishte e papërshtatshme në lidhje me ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë së luajtëshme.

Në disa ambiente ekspozimi ishte modest, ndërsa në disa të tjera sistemimi dhe ruajtja ishte e papërshtatshme dhe shpesh ‘ulëritëse’ që të ftonte së paku për të dhënë kontribut vullnetar në sistemimin, ruajtjen më të mirë dhe skedimin bashkëkohor të objekteve me vlerë të madhe të trashëgimisë së këtij teatri.

Por njëkohësisht nga ana tjetër për trashëgiminë e paluajtëshme fatkeqësisht konstatova me një vështrim të përgjithshëm se në ndërtesat origjinale të projektuara dhe ndërtuara në vitin 1938-1939, si rezultat i domosdoshmërisë në vite për përmirësime në drejtim të aktiviteteve dhe për përmirësimin e kushteve për publikun, kanë pësuar ndërhyrje rehabilituese, ristrukturuese dhe ndërtime të ndryshme të cilat kanë humbur në vite vlera të trashëgimisë duke përdorur materiale ndërtimi dhe devijime të pajustifikuara nga origjinaliteti fillestar.
Disa ndërhyrje joadekuate janë psh: zëvendësimi i dritareve të drurit të kalbura me dritare duralumini, shtrimi i sallës të hyrjes kryesore me pllaka guri natyror graniti, shtrimi i ambienteve me linoleum, heqja e 2 dyerve të jashtme anësore në pjesën veriore dhe mbyllja me mur e hapësirave të tyre, mbulimi masiv i ndërtesave me panele llamarine sandwich, riparime tavani me panele karton-gips, zëvendësimi i të gjithë ulëseve origjinale në sallën e shfaqjes etj, etj.

Por një pjesë të konsiderueshme të territorit në periudha kohore të ndryshme konstatohen një serë ndërtimesh me struktura betonarme dhe murature psh si pjesa me volum në lartësi e skenës, ndërtesa ngjitur me të me dy kate, ndërtesa e zdrukthtarisë dhe kështu në vazhdim nga ana tjetër. Këto ndërtime nuk konsiderohen me vlera të spikatura për trashëgiminë pasi janë në arkitekturë, strukturë, materiale dhe teknologji ndërtimi të zakonshme si në shumë ndërtesa të tjera, ndërsa po të shikohen nga lart krijojnë një kompleks ndërtimesh në forme ‘U’ dhe një pishinë jofunksionale mes tyre me një planimetri jo dinjitoze.

A ka mundësi që të trajtohen me kujdes të veçantë elementet dhe objektet e teatrit kombëtar që kanë vlera të ruhen dhe trashëgohen tek brezat e ardhshëm ?

Në lidhje me trashëgiminë e luajtshme aktuale në parim të gjithë objektet e luajtshëm duhen të konsiderohen për tu analizuar për vlerat e ndryshme të trashëgimisë.
Pra mënyra më e mirë është të diskutohet për tu marrë një vendim zyrtar se si duhet të ruhet kjo trashëgimi e luajtshme dhe e paluajtshme e teatrit ekzistues kombëtar.

Objektet me vlera për trashëgiminë mund të degradojnë ose të humbasin përfundimisht kur lihen në kushte të papërshtatshme dhe të pasigurta nga ndikimi i proceseve shpërbërëse dhe shkatërruese të materialeve siç mund të jenë parametrat ambientale të tilla si ndryshimet e temperaturës dhe të lagështisë, mungesë ventilimi adekuat, ajër të rëndë, pluhura që krijojnë ambient të përshtatshëm edhe për zhvillimin e sporeve, mykeve, mikrobeve, insekteve, parazitëve, minjve dhe rreziku i përhershëm i veprimit shkatërrues të zjarrit por edhe nga veprime të papërgjegjshme të njerëzve.

Përkundrazi kur vlerat e trashëgimisë mirëmbahen dhe ekspozohen sipas praktikave më të mira dhe standardeve në fuqi ne do të arrijmë të japim kontributin e shenjtë që ti transmetojmë siç duhet evidencën objektive historike tek brezat aktuale dhe brezat e ardhshëm. Detaje që sot dikujt mund ti duken të parëndësishme me kalimin e kohës marrin vlera të padiskutueshme.
Prandaj është e domosdoshme të hartohet një strategji dhe programe pune për evidentimin e saktë dhe të detajuar për çdo objekt aktual që i perket teatrit kombëtar të luajtshëm dhe të paluajtshëm me anë të dokumentimit standard të informacionit historik dhe të karakteristikave të tyre dhe më pas në momentin e vendimit për transferim, të paketohen, transportohen dhe ruhen përkohësisht në ambiente të përshtatëshme dhe të sigurta.
Kjo është një punë që kërkon burime mbështetëse adekuate, njerëz profesionistë dhe të apasionuar të fushës të trashëgimisë.
Për pjesë ndërtimore (si psh: kapriatat e drurit, shkallët, parmakët dhe lozhat prej druri, pllakat prej tallashi, elementë betoni, dyer, dritare, skena, pllakat prej graniti etj) që do të konsiderohen me vlerë për trashëgiminë, ekzistojnë të gjitha mundësitë që të çmontohen nga profesionistë të certifikuar dhe paketohen me të njëjtin kujdes si objektet e luajtëshme, me qëllim që të përdoren në të ardhmen.
Gjithë kjo pasuri e trashëgimisë duhet të jetë debat për vendin dhe mënyrën e ekspozimit dhe për këtë ka disa variante : të inkorporohet dhe te akomodohet në ndërtesën e teatrit të ri; të vendoset e ndarë nga ndërtesa e re në një ndërtese tjetër të përshtatëshme me statusin e një muzeu dinjitoz të trashëgimisë të artit teatral kombëtar ose një kombinim i të dy varianteve.
Unë mendoj se disa elemente me vlerë te strukturës të ndërtesës origjinale të vitit 1938 etj mund të inkorporohen ose vendosen në ndërtesën e re të teatrit, gjithashtu të ketë brenda një ambient të quajtur ‘Hall of Fame’ për evidentimin e aktiviteteve të aktorëve të famshëm të teatrit kombëtar.
Por ndërtimi i një muzeu historik kombëtar të teatrit mendoj është me më shumë interes pasi përmban përfitime të shumëfishta për ruajtjen dhe ekspozimin bashkëkohor të trashëgimisë historike aktuale dhe të trashëgimisë të ardhshme, për edukimin e brezit të ri me dashurinë për teatrin dhe si një pikë e rëndësishme cilësore atraksioni turistik. Pra ky muze duhet të ketë karakter pasurimi dinamik të inventarit te eksponateve dhe për këtë arsye duhet të ketë hapësira të mjaftueshme për akomodimin me një vazhdimësi afatgjatë. Meqënëse ka karakter kombëtar në këtë muze del domosdoshmëri të përfshihet historiku i teatrit duke filluar që nga zanafilla e tij në lashtësi dhe deri në ditet e sotme nga shqiptaret brenda dhe jashtë vendit.
Do të jetë me vlerë të dokumentohen aktualisht në detaje edhe debatet e kaluara dhe në vazhdim për teatrin e ri për qellime historike sipas një rendi kronologjik të përfshirjes të të gjithë palëve direkt dhe indirekt, idetë e shprehura nga individet përfshirë aktorët, përmbajtja këtyre debateve e veprimeve rreth rijetëzimit te teatrit te ri me qëllim që brezat të kenë evidencën e duhur të vlerësojnë kontributet.
Kam besimin se trashëgimia historike e artit të teatrit në vendin tonë është e pasur referuar periudhave kohore dhe krahinave të ndryshme ku kanë banuar shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo trashëgimi meriton të hulumtohet me kujdes dhe të koleksionohen në mënyrë të organizuar evidencat e duhura me vlerë muzeale dhe ti ekspozohen publikut.
Po shfrytëzoj këtë rast për të vënë në dukje publikut të gjerë disa gjurmë mbresëlënëse të zhvillimit të këtij arti në fshatin tim të origjinës Dardha e Korçës. I pozicionuar mes pyjeve në lartësine rreth 1400 metra si pasojë e faktorëve të ndryshëm kryesisht të emigracionit sezonal të brendshëm e të jashtëm dhe zhvillimit social-ekonomik të spikatur, pas viteve 1900 jeta artistike e banorëve të këtij fshati ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Organizoheshin dhe zhvilloheshin nga vetë banorët festa kombëtare, koncerte me kitara dhe mandolina (që kishte shumica e shtëpive), ballo vallzimi, ceremoni dasme, pjesë teatrale me karakter edukues shoqëror e atdhetar dhe kishte biblioteka të pasura dhe me libra të rrallë. Përkthimet dhe inskenimet prej vetë banorëve të fshatit nga dokumentet e kohës evidentohen shfaqje teatrale te mirëfillta të tilla si psh në vitin 1908 “Lufta e Trojës” (fragment nga “Iliada”), “Martesa me pahir” (Molieri), ‘Akimi’ te Viktor Eftimiut, “Nderi i qytetarit”, “E bija e bankierit”, “Burrat e dheut”, “Kundërshtarët e prikës” etj. Gjithashtu luheshin pjesë sarkastike e skeçe anonime si ”Luloja”, “Doktor Pilafi”, “Kush janë më të bukur, burrat apo gratë”, “Tre veta në një krevat”, “Vajzat e mëhallës” etj, por thuhet qe ka patur edhe fillesa te teatrit me kukulla dhe teatrit me hije.

Meqënëse po trajtohen çështje të trashëgimisë është vendi të tërheq vemëndjen dhe ti propozoj publikisht autoriteteve kompetente dhe direkt Z. Kryeministër që referuar shëmbullit të shkëlqyer të menaxhimit të trashëgimisë të fotografëve Marubi, të ndërtohet në Dardhë një muze modern për fotografët dardharë dhe artistët e tjerë të fushave të arteve me origjine nga ky fshat. Duhet thënë e verteta publikisht që fotografimi i parë i bërë në territorin e Shqiperise nga një shqiptar është nga Dardha, nga ky fshat që herët janë evidentuar fotografë, piktorë e artizanë të spikatur përfshirë ‘dinastinë’ rreth 200 vjeçare Zengo nga ku kanë dalë edhe femrat e para piktore shqiptare. Kjo trashëgimi e pasur duhet evidentuar me estetikën dhe kujdesin e merituar të organeve kompetente edhe për qëllime të turizmit, duke e konsideruar pasuri kombëtare.

Debati për teatrin është domosdoshmëri që të kompletohet edhe në drejtim tjetër që ndërtesa e re të jetë jo vetëm dinjitoze por edhe një pikë referuese si një organizëm frymëzues dhe civilizues : çfarë vizioni të ri do të ketë për teatrin e ri kombëtar ?
Krijimi i një mekanizmi adekuat për gjenerimin e lirë të ideve dhe të vlerësimit të tyre është një proces që do tja shtojnë vlerat teatrit kombëtar dhe do të përmirësojnë komunikimin me publikun të cilit i dedikohen shërbimet.
Për të demonstruar energjitë pozitive që përmbajnë idetë e mira mund të përmend këtë fakt nga një eksperiencë personale timen si ideatori i propozimit origjinal të cilën ja kam dërguar në mënyrë elektronike ish kryetarit te Bashkisë të Tiranës Z. Edi Rama para rreth 9 vitesh, ku në rubrikën e veçantë të komunikimit me publikun për dhënien e mendimeve për rijetëzimin e sheshit Skënderbej që ai kishte hapur në faqen e website të bashkisë, fillova ti shkruaj idenë në formë propozimi : “Të mos përdoren pllaka prej betoni për shtrimet e sheshit Skenderbej por vetëm pllaka prej guri natyror si më rezistente në përdorim, për klasin superior dhe kenaqësinë estetike që ato rrezatojnë”. Mbaj mend që në këtë moment i bëra pyetjen vetes : a mjafton me kaq për ta bërë ketë ide të pranueshme, dhe vazhdova tekstin “Duke patur parasysh që ky shesh që mban emrin e heroit tonë kombëtar, përfaqëson njëkohësisht edhe qendrën e kombit shqiptar, atëhere gurët natyrore të jenë pllaka guri dekorativ nga të gjithë trevat e shqiptarëve, kjo si një simbolikë e spikatur e unitetit kombëtar që përfaqëson ky shesh”.

Përgjigja ndaj këtij propozimi nuk ishte direkte por indirekte. Z. Edi Rama pas 3-4 ditësh e deklaron idenë publikisht me anë të një interviste televizive. U ndjeva mirë qe e kishte pranuar dhe vlerësuar dhe më pas kjo ide ju transferua kryetarit aktual te Bashkisë të Tiranës Z. Erion Veliaj. Ditët e fundit ky shesh ka marrë një çmim ndërkombëtar dhe unë ndjehem mirë brenda vetes që kam qënë pjesë në zanafillat e historisë të suksesit të këtij sheshi.
“Të jetuarit me ide” është një moto që mund të ndryshojë sistemin tonë të mendimit dhe filozofinë tonë për ta jetuar më bukur jetën jo vetëm në fushën e artit por në të gjithë fushat e tjera.

Stimulimi i projektit inovativ të një ndërtese të re të teatrit kombëtar larg modifikimeve kozmetike në harmoni me strategji për arritjen e dinjitetit dhe madhështisë duke ruajtur në mënyrën e duhur memorien historike me anë të zbatimit të standardeve bashkëkohore, do të mundësojë përmirësimin e infrastrukturës dhe koncepteve të reja të hapjes, transparencës, respektit dhe fokusimit ndaj kërkesave të publikut. Teatri i ri duhet të funksionojë me koncepte të reja për të mundësuar të bëhet pjesë integrale komunitare dhe të zgjerojë dhe përmirësojë shërbimet ndaj publikut me të gjitha llojet e teatrit.

Fokusimi i vëmëndjes për të krijuar një qëndër referuese kombëtare dhe model për përmiresimin e cilësise në kulturën e artit skenik, do të krijojë një ambient të ri pune që inspiron përmirësim dhe mundësi për të gjithë profesionistët të kësaj fushë për të evidentuar vlerat kombëtare karshi publikut.

Projektimi inovativ do të mundësoje marrjen parasysh dhe kombinimin për çdo grup të kërkesave të veçanta estetike, arkitektonike, teknike, krijimin e hapësirave bashkëkohore dhe përdorimin e materialeve cilësore me qëndrueshmëri të lartë në jetëgjatësi përdorimi dhe të sistemeve inteligjente bashkëkohore të menaxhimit të ndërtesave për sigurimin e eficensës të energjisë, të kondicionimit dhe të ventilimit, të ndriçimit, të sigurisë ndaj zjarrit dhe shpëtimit, të sigurisë fizike, të pastërtisë dhe të higjenës, të dixhitalizimit të menaxhimit të aktiviteteve artistike etj, për të patur një bazë të qëndrueshme suksesi për akomodimin dhë bërjen e komunitetit një aktor dinamik, një pjesë përbërëse efektive e të gjithë spektrit të aktiviteteve të cilat destinohen për kënaqësinë e tij me anë të plotësimit të nevojave gjithnjë e në rritje për argëtim të kulturuar.

Komunikimi që reflekton karakterin teatral dhe rekreativ me elementë stilistike te trashëgimisë kombëtare besoj që do të ketë ndikim në ndryshimin pozitiv të mendësisë kolektive për magjinë e teatrit duke e konsideruar një pjesë të civilizimit të jetës qytetare ku të gjithe duhet të investohemi me respekt per dinjitetin e teatrit dhe te aktorëve të cilët duhet të konsiderohen si aset kombëtar. (Arian Çika–Inxhinier ndertimi)./GSH/j.j