Mero Baze/

Aleksandër Soros nuk ka thënë asgjë të re, për të mos thënë që për momentin ka thënë gjënë e gabuar. Ai ka hapur një debat të ri rreth asaj që ai e quan si sindromi i Albanofobis tek disa vende evropiane. Nuk është ndonjë zbulim i ri dhe as ndonjë zhvillim i shmangshëm. “Albanofobia” është një perceptim racist për ne, i krijuar nga izolimi ynë prej Evropës dhe dështimet tona në histori. Ky fenomen ka prodhuar dhe të kundërtën e vet në Shqipëri, që janë “eurofobët”, të cilët shpjegojnë çdo dështim të Shqipërisë dhe të tyre me Evropën “plakë”.

“Albanofobia” ka qenë përdorur si tezë dhe nga Sali Berisha në vitin 2011 e më pas në Samitin e Munihut, pasi dështoi të avanconte kërkesën për statusin e vendit kandidatë për anëtarë të BE, edhe pse i bleu Francës, 70 milionë euro helikoptera, edhe pse i firmosi symbyllur Karamalisit kufirin detar dhe i dha disa klientëve të Berluskonit disa liçenca për parqe energjitike në Shqipëri. Nuk ja doli dot dhe pastaj klientelizmin e tij e shpjegoi me “Albnanofobinë” e Evropës.

Nga ana tjetër çdo politikan shqiptarë kur i ka pas keq punët me Evropën është bërë eurofobë, biles duke ju referuar herë pas here, edhe klerikut më properëndimor të Shqipërisë, Gjergj Fishtës.

Por e vërteta është se ne nuk jemi në momentin e një refuzimi nga Evropa dhe as nuk duhet të sillemi si të tillë.

Ne, kurrë në historinë tonë, nuk kemi pasur kaq personalitete perëndimore, simbole të Evropës së sotme, pro nesh. Lexoni një për një ato çfarë shkruajnë, që nga Presidenti i BE, e deri tek komisioneri i zgjerimit si dhe gjithë zyrtarët e lartë evropianë. Janë të gjitha përgjërime pro Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Lexoni çfarë shkruajnë kryeministrat e 25 vendeve të BE, të gjithë të keqardhur për vendimin ndaj nesh dhe e shikoni, se kurrë nuk jemi parë më shumë se sa sot, si aleatë të Evropës. Lexoni po ashtu qëndrimin e fort të SHBA pas kësaj për të kuptuar se çfarë reaksioni shkaktoi Macron.

Ne kemi sot një problem me Presidentin e Francës dhe jo me Francën. Duke bërë llogaritë e tij elektorale ai mendon se fiton pikë në Francë, duke viktimizuar dy vende që duan te bëhen gati për të hyrë në Evropë. Dhe kur e ka bërë këtë, nuk ka llogaritur reagimin tonë, se ai nuk i hynë në punë. Ka llogaritur sulmet e Evropës kundër tij, për tu treguar kundërshtarëve racistë të tij, se është në garë me ta, dhe se po noton dhe ai në ujërat e tyre.

Ndaj nuk duhet të sillemi sikur kemi Evropën kundër por ashtu siç është e vërteta. E vërteta është se ne kemi kundër Presidentin e Francës, i cili ka më të rëndësishëm pushtetin e tij, se Evropën. Kjo gjë padyshim e dobëson Evropën, e bën më të pafuqishme zërin e saj në anët tona, dhe ngjall më pak besim për çdo betejë të thirrur në emër të saj.

“Albanofobia” në këtë rast, nuk është një armë e shkrepur mbi ne, por një pushkë e vjetër e ekspozuar në sallonet e politikës franceze, për të trembur francezët.

Përparësia e Macronit është se këtë pushkë kundër nesh e ka shkrepur në një vend, ku dinë shumë pak gjëra për ne.

Në fund të qershorit Presidenti Sarkozi kaloi 24 orë në Butrint e Ksamil, pasi zbriti në Tiranë, dhe i vetmi “shock” që e shoqëroi 24 orë, ishte se si nuk kishte parë një grua të mbuluar shqiptare.Pyeste çdo orë për këtë, pasi i dukej sikur dikush e kishte inskenuar Shqipërinë që ai shikonte, për të fsehur atë realen me “ferexhe”. Nuk e kishte nga “Albanofobia”, por nga mos-njohja e Shqipërisë. Është presidenti që s’na ka bërë asgjë të keqe si President i Francës, por që fatkeqësisht na di njerëz me ferexhe. Macroni nuk besoj se ka nevojë ta di si jeni, pasi për atë ka rëndësi si i duhemi. I duhemi gogol për votuesit francezë dhe ashtu po na përdor. Për këtë arsye ka kundër gjithë Evropën, SHBA dhe gjithë rajonin. Ka me vete vetëm Tit Vasilin, Berishën dhe Bashën në Tiranë, të cilët janë të vetmit albanofobë aktivë në Evropë. Por nuk është se i bëjnë punë Macronit. Ata shpresojnë që Macroni u bën punë atyre në Shqipëri dhe Gruevskit në Maqedoni. Ndaj nuk duhet të sillemi sikur kemi kundër Evropoën, por duhet të ndjehemi të frikësuar që Evropa tani e ka zërin e ngjirrur për tu dëgjuar deri këtu.