Av. Denisa Daka

Më dhemb çdo ditë teksa shoh të rinj të vrasin kohën pa limit në kafene a bare kudo rrotull, pa u angazhuar e pa marrë asnjë përgjegjësi.

Kotësia e zbrazëtia e orëve bosh po vret çdo ditë secilin prej tyre, fëmijët e mijë gjithashtu.

Një mike nga Franca teksa bënim një copë rrugë së bashku para pak ditësh e shihte jo pa habi e keqardhje kafenetë plot me të rinj, me shumë kujdes më tha:.. edhe unë djalin e kam adoleshent, 15 vjeç do të jetë për pak ditë, por mundohem ta angazhoj në çdo rast që të mos vrasë ditët në këtë mënyrë e të jetë i dobishëm përveçse. Një muaj gjatë verës ai dhe bashkëmoshatarët e tij, angazhohen doemos duke kryer një punë vullnetare për komunitetin, ndërsa kontribuon çdo ditë dhe në familje…Kudo në spitale, shtëpi pleqsh, supermarkete, biblioteka në Francë e jo vetëm, gjen të rinj të kësaj moshe që kontribuojnë në mënyra të ndryshme kudo..Prindërit e tyre gjithashtu rreken ditë pas dite t’u gjejnë mundësi fëmijëve të angazhohen në këto forma, duke dashur t’u japin disa mësime njëherësh me këtë akt qytetarie e përgjegjësie.

Mësim i vyer padyshim..

U ndjeva ligsht teksa mendoja se unë e para kisha dështuar të përfshija fëmijët e mij të angazhoheshin diku, për të mirën e tyre posaçërisht, shumë mike të mijat gjithashtu.

E tërë shoqëria jonë po dështon të edukojë siç duhet këtë brez të rinjsh..

Angazhimi e përgjegjësia, do të kish impakt të drejtpërdrejtë në jetët e tyre e do të përkthehej në më pak vrasje, dhunë e kotësi posaçërisht e pas kësaj do të fitonin të gjitha palët me siguri.

Fëmijët tanë do të mësonin vlerën e punës së pari duke vlerësuar sakaq shijen e mirë të djersës së tyre, duke vlerësuar sakaq se asgjë në jetë nuk është dhuratë por fitohet me shumë mund, mësim i vyer ky të cilin nuk e zëvendësojnë dhjetëra predikime në radhë.

Politikat e dështuara arsimore gjithashtu, të cilat duhet të orientonin doemos të tilla modele, po vrasin çdo vlerë e shpresë këtu ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për gjithë këtë, si askund tjetër..

Teksa specialistët e fushës nuk përfshihen askund e asnjë sugjerim i secilit prej nesh jo veç për këtë problem nuk dëgjohet në asnjë rast, ne do të vijojmë të kemi e të jetojmë të njëjtën situatë të pashpresë, fëmijët tanë posaçërisht.(dritare.net)