Me ftesë të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, përcolli nga Tirana disa nga mesazhet kryesore lidhur me skuadrën e përbashkët që po ngrihet mes Shqipërisë dhe Italisë për të luftuar organizatat kriminale.

Teksa janë bërë gati dosjet e para për implementimin e regjimit të posaçëm “41 bis”, Cafiero De Raho shprehet se bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë do të mundësohen një sërë masash të forta për izolimin e subjekteve kriminale.

“Shqipëria po ndjek një rrugë analoge me Italinë për trajtimin me burgim me kushte speciale të personave të cilët akuzohen për angazhim dhe drejtim të grupeve të strukturuara kriminale. Ky trajtim është mjaft i veçantë, i cili është i domosdoshëm për të ndaluar që grupet e strukturuara kriminale të kenë kontakte me botën jashtme. Në bazë të këtij trajtimi, të burgosurit kanë një ndalim të plotë të komunikimeve me jashtë. Takimet e të burgosurve reduktohen, gjithashtu dhe ato pak takime që zhvillohen regjistrohen. Këto masa janë të nevojshme në mënyrë të tillë që të monitorohet sa më mirë mbarëvajtja e të burgosurit gjatë vuajtjes së dënimit”, u shpreh prokurori Federico Cafiero De Raho duke shtuar se:

“Falënderoj Shqipërinë dhe Ministren e Drejtësisë për adoptimin e ligjit të burgimit me kushte speciale, sepse siç u shprehëm ai është mjeti i parë për t’i hequr këtyre personave lidhjen me botën e jashtme. Është e nevojshme heqja e lidhjes me botën e jashtme në mënyre të tillë që subjekteve drejtuese t’i pengohet mbajtja e komandimit të grupit të strukturuar nga brenda. Ky trajtim gjithashtu duhet të shërbejë si shembull për të tjerët dhe nëpërmjet informacioneve të marra nga monitorimi i vazhdueshëm mund të ndihmohet dhe mbledhja e provave për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve në favor të Prokurorisë”, tha ndër të tjera ai.

Prokurori Federico Cafiero De Raho, vlerësoi konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, duke e cilësuar si një hap të madh përpara i cili bashkon Shqipërine me Italinë.

“Për shkak të afërsisë që kanë dy vendet me njëra-tjetrën, bashkërisht janë investiguar çështje të rëndësishme, janë krijuar grupe investigative të përbashkëta me përbërje nga specialist të forcave të rendit italiane dhe të forcave të rendit shqiptare për të luftuar së bashku organizatat kriminale shqiptare që operojnë në Itali dhe në Shqipëri. Format e kooperimit janë gjithnjë e më të përparuara dhe këto forma kooperimi të avancuara sjellin dhe shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit midis palëve”, nënvizoi De Raho.

Ndërkohë, ai shprehu edhe një falënderim për punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë.

“Falënderoj përsëri Ministren e Drejtësisë dhe shtetin shqiptar për angazhimin dhe mbështetjen ligjore. Gjithashtu falënderoj këdo që mbikëqyr sistemin penitenciar, sidomos personat të cilët mbikëqyrin trajtimin me burgim special si një nga instrumentat më të fortë për luftën kundër krimit të organizuar”, përfundoi fjalën e tij Prokurori i Antimafias italiane.