Në muajin Korrik 2019 numërohen 148 aksidente rrugore nga 166 aksidente të ndodhura në muajin Korrik 2018, duke u ulur me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtatëmujorin e parë 2019, numërohen 862 aksidente rrugore nga 967 aksidente të ndodhura në shtatëmujorin e parë 2018, duke u ulur me 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Korrik 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 228 persona nga 210 që ishte një vit më parë duke u rritur me 8,6 %. Numri i të aksidentuarve në shtatëmujorin e parë të vitit 2019 është 1.188 persona nga 1.279 persona, duke u ulur me 7,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në muajin Korrik 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona nga 18 persona të vdekur në Korrik 2018. Në shtatëmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 115 persona nga 116 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Korrik 2019, aksidentet rrugore, në 89,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 30,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë rritur me 15,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtatëmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 13,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 42,3 %, krahasuar me një vit më parë.