Nga Ana Abdi/

Të dashur Sir & Star, përfaqësues të kazanit elitar mediatik,

Kohët e fundit jam ndeshur me artikuj që përpiqen të pasqyrojnë një luftë brënda PS-së dhe kjo më bën të reflektoj, më vë në pikëpyetje nëse lexoj artikuj e opinione nga gazetarë e njerëz të medias, apo nga biznesmenë e trafikantë influencash… Unë nuk merrem me thashemtheme VIP-ash dhe as me ato të jetës “elitare” të asaj që gatuhet në provincën tonë të përbashkët Tironë (siç i thonë ca) dhe Tiranë siç e njohim ne të gjithë.

Por duket qartë që artikujt e kohëve të fundit i janë vënë në shërbim idhnakëve politik që ju ka rrëshkitur apo së shpejti pritet t’ju rrëshkasë pushteti. Po them në shërbim, se nuk jam dot aq e paskrupullt sa të mendoj që këto artikuj janë të nxitura, të porositura a të paguara nga persona të interesuar…

Edhe në qoftë se paska një luftë në PS, më bën përshtypje interesimi i mediave për të kërkuar mes socialistëve “të keqen më të vogël”. Nuk e di çfarë ju përfshin kaq shumë në këtë debat, por nuk besoj të jetë e ardhmja e Shqipërisë, pasi në të kundërt do t’ju kishim parë të përfshirë në ndonjë vepër bamirësie, në ndonjë nisëm komunitare apo do të kishit bërë një artikull të vetëm në jetë ku të evidentoni vlerat e Shqipërisë, me qëllim lartësimin e imazhit të saj… Por jo! Kjo nuk ka ndodhur dhe fatkeqësisht nuk ka për të ndodhur, shumë të dashur ish shkokë, të kthyer në “zotninj elitar qytetar”, pasi në tavolinat tuaja me pesë yje ka vetëm thashetheme e mllef, me qëllim që të merrni një kockë a një copëz pushtet në kurriz të vërtetës dhe shqiptarëve.

Të dashur Sir & Star, përfaqësues të kazanit elitar mediatik, që jeni shqetësuar shumë këto kohë!

PS-ja e ka një Kryetar dhe Shqipëria një Kryeministër që sapo ka fituar një mandat qeverisës. PS-ja e ka një Kryetar që do të garojë për një mandat të tretë qeverisës dhe vetëm në daçin njerëzit, ai do të largohet… Po unë këtë të fundit nuk e besoj.

Njerëzit, ata të thjeshtit, ata që kanë punuar njësoj me ju, ndoshta dhe më shumë se ju, por nuk janë aq të majmur sa ju, ata që ju i mbani larg nga biznesi, politika dhe ekranet janë me Edi Ramën, me Edi Ramën në krye të PS-së dhe me Edi Ramën Kryeministër. Aq shumë besim kanë tek Edi Rama njerëzit e thjeshtë, ata që ju i përbuzni, sa ma besoni një fjalë mua si aktiviste e re në politkë, edhe sot të hapte një parti të re, po njësoj do ta besonin, po njësoj do ta votonin…

Po do ti fitonte zgjedhjet, por jo për atë që ju e paraqisni në media dhe e sulmoni, duke u bërë megafon e zhurmues interesash…

Të dashur Sir & Star të medias, që merrni rolin e psikologut, psikiatrit, psikanalistit, ju që të futeni në vrimën e çelësit, në dyshek dhe në ndërgjegje, fiksojeni mirë… Njerëzit e duan Ramën sepse është larg modelit pa mend që hiqet si intelektual, akoma edhe më larg modelit që kollariset e ngërdheshet para kamerave. Njerëzit e duan Edi Ramën sepse ai as që do t’ja dijë për median tuaj, ajo media që ju trazoni përditë sipas oreksit, tarafit e interesit. Njerëzit e duan Ramën, sepse nuk çan kokë për etikën e gënjeshtërt, velëse dhe mbytëse, të imponuar nga politikanë imoralë.

Njerëzit e duan Ramën sepse erdhi në politikë atëherë kur kishim humbur shpresën dhe të gjithë mendonim se ishte fundi, erdhi dhe u përplasi në fytyrë zhvatësve të xhepave tanë, të veshur me kollare e edukatë, të vërtetat e tyre. Ja u përplasi ashtu siç ishin, pa shumë furçe, lakuriqe, aq sa na çliroi të gjithëve nga teatri që na kish’ zënë frymën. E duan se leu fasadat e pallateve, e shumëve ju hoqi fasadat e fytyrës. E duan sepse atëherë si Kryetar Bashkie i çliroi njerëzit nga fasada e gënjeshtërt dhe atëherë kur se priste askush, mori një fadromë dhe siç i ra ndërtimeve pa leje në mes të Tiranës, ju ra kokës spurdhjakëve e rrjepacakëve që shiteshin si intelektualë. Prandaj e duan edhe sot. Edhe tek Kryeministri që ai është sot, mezi presin të shikojnë Kryetarin e Bashkisë që ishte dje… I paduruar, me mëngë të përveshura dhe me fadromë ndaj skuthërisë e paligjshmërisë…

Të ishte aq i keq Edi Rama, nuk do të kishte sot kundër gjysmën e spurdhjakëve, dallaveraxhinjve, rryshfetxhinjve e zulllumqarëve të këtij vendi, por do ti kishte krah, duke i bërë reklamë nëpër sallonet elitare e mondane të ZULLULAND-it tonë që quhet Tironë…

Të dashur Sir & Star, ju e dini mirë që ai, Rama i Bashkisë atëherë, ai me mëngë të përveshura, me çorape me ngjyrat e fytyrave tuaja e me sëpatë në dorë, do te vijë shumë shpejt, prandaj jeni tërbuar, e po gëloni në kazanin tuaj si minjtë përpara tërmetit…

Unë dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi, që po na mbyt ngërdheshja e kollareve tuaja para kamerave, ne që duam Shqipërinë, e atë e kemi besë, parti e fe, mezi po presim të shohim fundin e kësaj historie….

*Ana Abdi – Zv.Sekretare e marrëdhënieve me jashtë në PS