E cilësuar si parajsa e fshehur e Veriut, Puka është kthyer tashmë në një destinacion turistik, duke ofruar për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Një qytet i vogël me “bujari e mikpritje të madhe”, kështu e cilësojnë turistët që vizitojnë për herë të parë Pukën.

Ditët e fundit një grup të rinjsh shqiptarë vizituan disa nga vendet më të bukura të qytetit verior.

Ermal Hallaçi, alpinist profesionist tha për ATSH-në se “udhëtimi nisi nga Tirana në drejtim të Repsit, në Rrugën e Kombit. Më pas lamë autostradën dhe u futëm drejt Fushë-Arrëzit qytet i vogël i cili 10 vite më parë ishte vendi më i frekuentuar nga udhëtarë të shumtë, të cilët udhëtonin në rrugën e vjetër Tiranë-Prishtinë”.

Gjatë rrugës, tregon Hallaçi, u ndaluam tek Ujëvara e Gojanit dhe tek një mulli me ujë që rrallë gjen të tillë.

Më pas rrugëtimi i të rinjve vazhdoi drejt fshatit Lumëbardhë dhe më pas ecën në këmbë prej 4 km në pyll, përrenj, lëndina dhe ujëvara, ku nuk mungonin edhe miniera, të cilat vetëm godinat u ekzistonin.

“Banorët e zonës ngelën të habitur nga ardhja jonë, pasi nuk kishin parë ndonjëherë turistë aventurierë shqiptarë, të rrallë ndonjë turist të huaj me motor”, – shprehet Hallaçi.

Një tjetër i ri pjesë e kësaj guide shprehet se “ecja ishte planifikuar deri tek Ujëvara e Lumëbardhit kështu e quanin banorët dhe me pas për tu kthyer në fshat, por guida nuk mbaroi këtu pasi ne vizituam edhe vende të tjera”.

Një tjetër destinacion i të rinjve ishte edhe fshati Kryezi, pjesë e “100 fshatrave” turistikë, ku ata ndaluan tek një bujtinë për të konsumuar drekën me produkte bio.

Të rinjtë e apasionuar pas natyrës eksploruan edhe ujëvara të tjera dhe kanione.

Por itinerarit të tyre nuk mund t’i mungonte edhe vetë qyteti dhe liqeni, të cilat pas ndërhyrjes së rëndësishme, e kanë shndërruar Pukën në një atraksion të ri turistik gjithëvjetor.