Javën e kaluar mes Paul Pogbas dhe Zinedine Zidane pati një takim kokë më kokë. “Daily Mirror” i kapi mat të dy francezët në Dubai.

Trajneri i Realit ndodhej në Dubai për një konferencë për përdorimin e inteligjencës artificiale në sport dhe aty përfitoi nga rasti për të takuar Pogbanë, që po kalonte pushimin e kombëtareve, pasi dëmtimi nuk e la të luante për “Gjelat”.

Tekniku i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka insistuar se nuk e ka problem fotografinë e yllit të skuadrës së tij me trajnerin e një klubi që e kishte kërkuar transferimin e tij gjatë merkatos verore.

Pogba ishte përfolur për një transferim tek Real Madrid gjatë merkatos verore, pasi ai e kishte thënë vetë se dëshironte një sfidë të re në karrierë. Dhe fotografia e fundit i ka shtuar dhe më shumë zërat se mund të ketë një transferim në janar.

Megjithatë, Zidane nuk është i përgatitur të flasë për merkaton e ardhshme, por ai zbuloi disa detaje nga takimi i tij me Pogban.

“Ishte vetëm rastësi. Ai ishte aty dhe unë po flisja në konferencë. Pasi ne e njohim njëri-tjetrin, folëm. Por, ishte personale – Nuk do ua tregoj juve se çfarë folëm”, u përgjigj Zidane kur u pyet për takimin.

“Ne e njohim njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë. U takuam rastësisht në rrugë, u ndalëm dhe biseduam”.