Ka nisur në Tiranë takimi i PS “Ti zgjedh”, për përcaktimin e delegatëve të Kongresit, ku fjalën e mori e para ministrja Elisa Spiropali. Ajo nuk la pa shënjestruar dhe opozitën, e cila sipas saj nuk është e fortë për t’u përballur me PS-në në zgjedhje parlamentare.

“Jemi krenar për qeverisjen në 6 sigurisht ne nuk e kemi pasur të lehtë. Ne zgjodhëm rrugën e transformimit të drejtësisë, të jemi të përgjegjshëm. Kjo sepse PS nuk e ka qëllim në vetvete pushtetin, por mjet për të ndryshuar jetët e njerzve, qytetet tona. Shihni Tiranën, ndryshimin që i ka ndodhur, njësoj si qytetet evropiane. Ashtu e dhe Kavajën, së shpejti edhe Kamzën. Duhet t’i themi këto me zë të lartë sepse në 30 qershor nuk votuam vetëm për kryebashkiakët, por për të thënë që Shqipëria është shtet dhe askush nuk e merr dot peng, dhe këtë e bënë socialistët. Prandaj BE dhe SHBA vazhdojnë të na mbështesë. Që prej shtatorit ne nisëm procesin e vitalizimit të PS në çdo qelizë”, tha Spiropali.

Ministrja premton se zgjedhjet e 16 nëntorit për Kongresin e PS-së përbëjnë gjysmën e suksesit të fitores së mandatit të tretë qeverisës.

“Është e rëndësishme që mbi 15 mijë anëtarë të drejtohen në qendrat e votimit për të zgjedhur delegatët përfaqësues të PS-së. Në janar presim të kemi një kongres të jashtëzakonshëm me të gjithë drejtuesit e rinj për të zgjedhur Asamblenë. Është vetëm gjysma e punës për mandatin e tretë në 2021. Çdo kthim mbrapa do të ishte fatale. Nuk kemi përballë opozitë dhe lidera të fortë, por kemi njerëz që braktisin zgjedhësit e tyre, braktisin parlamentin dhe kanë qëllim pushtetin. U them nga kjo sallë të vijnë të përballen, por nuk janë gati të përballen sepse kanë frikë. Në 16 nëntor të gjithë të jemi në kutitë e votimit’’, u shpreh Spiropali.