Përfaqësues Special i presidentit të SHBA-ve, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell po zhvillon një vizitë në Kosovë ku u takua me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtarin e Kryesisë, Glauk Konjufca, në ambientet e ambasadës së SHBA-së në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook thekson se Grenell ka uruar udhëheqësit e Vetëvendosjes për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Albin Kurti pohoi se përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa vetë afati kohor. Mes tjerash, i dërguari special i SHBA për dialogun i tha Kurtit se niveli i lartë i korrupsionit, është një tjetër plagë me të cilën po përballet Kosova.

“Sot, në Ambasadën e re të ShBA-ve në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca, u takuan me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, z. Richard A. Grenell dhe Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Philip S. Kosnett. Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të. Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes në Facebook.