Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj doli sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku foli për situatën e krijuar te klubi korçar, pas konfirmimit të dënimit me 10 vite pezullim në aktivitetet europiane dhe një milionë euro gjobë, edhe nga CAS-i.

Numri një i klubit korçar drejtoi gishtin nga ish-Sekretari i FSHF-së Eduart Dervishi, i cili aktualisht punon në Federatën Spanjolle të Futbollit, në bashkëpunim me spanjollin Emilio Garcia, që është Shef i Integritetit dhe Disiplinës në UEFA.

“Ne jemi njoftuar për dënimin në dhjetor të 2017-ës, në zyrat e FSHF-së, ndërsa UEFA e publikoi vetëm në mars të vitit të ardhshëm. Nisëm negociatat me UEFA-n dhe spanjolli Garcia më propozoi në një takim, një pezullim 5-vjeçar dhe 250 mijë euro gjobë. Këtë ide e kisha dëgjuar më herët të qarkullonte në kafenetë sportive të Tiranës dhe pyeta Garcian për këtë, por ai mu përgjigj shkurt: Ke të fala nga Eduart Dervishi. Unë jam i bindur se për dënimin e Skënderbeut kanë punuar vetëm dy persona dhe çelësat e asaj zyre ku është gatuar çështja, i ka Eduart Dervishi”, tregoi Takaj.

Presidenti i Skënderbeut shtoi se në të gjitha seancat e përballjes me UEFA-n kishte nga një spanjoll në trupën e gjyqtarëve, teksa tregoi se në seancën në CAS ndodhën shumë gjëra që rritën optimizmin tonë për të fituar.

“Në Apelin e UEFA-s, kryetar ishte një spanjoll, por pas ankimimit tonë, e kaluan anëtar. Edhe në CAS, njëri prej 3 gjyqtarëve ishte spanjoll dhe ne nuk kishim shumë besim, por mënyra se si rrodhën ngjarjet na bëri shumë optimist. Ishin vetë gjyqtarët e CAS-it, që gjatë procesit, rrëzuan të gjitha pretendimet e UEFA-s dhe dëshmitë, gjë që na bëri të ishim optimist për fitoren e çështjes, por ndodhi e kundërta. Dyshoj se beteja e Skënderbeut nuk është me UEFA-n, por me një zyrë në Federatën Spanjolle. Dosja jonë është plotësuar në aksin “Tiranë-Madrid-Nion”, pasi ka pasur edhe këtu miq të Dervishit, të cilët kanë plotësuar dosjen me opinionet e tyre”, tha numri një i klubit korçar.

Presidenti i Skënderbeut nuk la pa përmendur as email-in kërcënues që shkoi ndaj inspektorëve të UEFA-s, të cilin e quajti pjesë të inskenimit për të dëmtuar korçarët, ndërsa shtoi se hetimet për burimin nga doli ai mesazh, kanë ngecur në Tiranë.

“Kur shkoi email-i, ne po negocionim me UEFA-n për minimizim të dënimit, por pas atij mesazhi kërcënues, marrëdhënia jonë me ta u ndërpre komplet. Nisëm të kërkojmë për burimin e email-it në rrugë ligjore dhe bëmë denoncim në prokurorinë e Korçës, ndërsa pas disa ditësh, çështja kaloi në Tiranë, ku në mënyrë të çuditshme, u la në harresë. Burimet tona na kanë konfirmuar se email-i është nisur nga Tirana, jo nga Korça. Klubi i Skënderbeut përfaqëson një qytet me nivel të lartë kulture e traditash dhe zyrtarët e këtij ekipi nuk kanë kërcënuar askënd, madje ju vetë jeni dëshmitarë që jemi sjellë në mënyrë tejet korrekte”, u shpreh presidenti korçar.