Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë në mbrojtje të bashkëshortit të saj duke akuzuar Komisionin e Venecias për tejkalim të kompetencave.

“Komisioni i Venecias tejkaloi kompetencat e saj në draftin paraprak për Presidentin Meta.” tha Kryemadhi, një deklaratë sa absurde aq edhe sulmuese ndaj një komision të pavarur, opinioni i të cilit vlerësohet nga të gjitha qeveritë e botës në lidhje me interpretimin e ligjit.

Madje për të dalë në mbrojtje të bashkëshortit të saj, Kryemadhi hodhi poshtë edhe besueshmërinë e një prej organeve që vetë Meta, ishte shprehur se i besonte verbërisht (pavarësisht se vendosi të mos e dëgjojë opinionin e Venecias lidhur me tejkalimin e kompetencave nga ana e tij.)

Gjatë një interviste për Report TV, Kryemadhi deklaroi se Venecia tejkaloi kompetencat pasi dha një mendim edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, gjë që sipas saj nuk i ishte kërkuar nga Kuvendi. Për Kryemadhin, Venecia duhet të jepte një opinion vetëm për dekretet e presidentit dhe jo 30 qershorin, dekrete që në fakt lidhen pikërisht për anulimin e 30 qershorit.

“Nuk më krijon asnjë lloj ndjesie, ai është një draft paraprak, mund të them që unë nuk jam një juriste që ta analizoj. Më duket si një deklaratë politike, pavarësisht nga kjo unë nuk jam e aftë për të gjykuar personat që e kanë hartuar atë draft.

Ajo që më bën përshtypje është që, me sa kam lexuar në letrën e Z. Ruçi, nuk është kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias për zgjedhjet e 30 qershorit por është kërkuar një opinion vetëm për dekretet e Presidentit. Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencën e tij duke dhënë edhe një argumentim më të madh se ç’duhet, pra ka kaluar pyetësorin e tij, ka dalë në 30 qershor.

Kështu që kemi një President që ka tejkaluar kompetencat, kemi edhe një Komision të Venecias që ka tejkaluar kompetencat.” tha Kryemadhi, e cila shtoi se opinioni i Komisionit të Venecias është një sugjerim që kush të dojë e merr parasysh.

Drafti paraprak i Komisionit të Venecias tha se presidenti Meta ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit. Ky draft nuk u prit mirë nga vetë Meta, i cili e cilësoi atë si “trakt të rilindjes” dhe u shpreh se ka kryer “zero shkelje”.

Një ndryshim qëndrimi 360 gradë e Metës, i cili deri dje i besonte verbërisht vendimit të Venecias dhe ishte gati të jepte dorëheqjen pa pritur ende vendimin e parlamentit, nëse ajo e gjente në shkelje.