“Qëllimi i luftës antiinformalitet nuk është të luftohet biznesi, por të luftohet evazioni”, deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. E ftuar në një studio televizive, Denaj tha se aksioni antiinformalitet ka pasur mbështetjen e qytetarëve dhe deri tani aplikacioni “Stop Informalitetit” është shkarkuar nga mbi 13 mijë qytetarë.

Denaj tha se “formalizimi i ekonomisë nuk është një proces që ndodh vetëm në 2-3 muaj, por është një përpjekje që ka filluar prej kohësh kundër një fenomeni që në Shqipëri është adresuar në forma të ndryshme dhe jo vetëm tani”.

“Herë pas here bëhen analiza, shikohen rezultatet dhe vlerësohen nëse janë efektive masat e marra, apo duhet të shkohet në masa të tjera. Ne kemi nisur një proces analize që në fillim të vitit. Tregues të caktuar të 3-mujorit të dytë treguan se në disa sektorë risku ishte më i lartë dhe ne duhet të intensifikonim inspektimet apo kontrollet. Në maj ne bëmë një analizë që përfshiu të gjitha administratat që janë të lidhura me pjesën e formalizimit dhe ndikojnë në të. Evidentuam disa sektorë si turizmi dhe më pas ndërtimi apo atë të akcizës”, tha Denaj.

Denaj tha se qëllimi është që ta vendosim të gjithë ekonominë drejt formalizimit sa më të plotë.

Po ashtu, ministrja theksoi se pse aksioni nisi nga sektori i turizmit. “Ka një fokus të veçantë aty ku ndodh prerja më e madhe e kuponave. Nuk ka të bëjë me sektorin, por me faktin se në atë moment potenciali për të pasur evazion mund të jetë aty ku priten më tepër kupona”, tha Denaj.

Ajo tha se kontrollet u fokusuan në biznese që kanë një histori të mëparshme evazioni, apo në biznese ku pretendohet diferencë më e ulët se një vit më parë. “Në qershor ne bëmë një paralajmërim. Kjo është pjesa e padukshme e planit operacional. Kemi kryer 1200 telefonata me të gjitha bizneset që rezultonin me rënie dhe më pas vijuam inspektimet, nisur nga monitorimi në distancë dhe në terren”, tha Denaj.

Ajo tha se “është e patolerueshme që një biznes të regjistrohet më parë në booking.com se sa në QKB”. Edhe në këtë rast, Denaj tha se regjistrimi kërkon vetëm 24 orë kohë dhe ne kemi asistuar bizneset.

Denaj tha se “fenomeni i informalitetit nuk ka shtrirje gjeografike, por është kudo”. “Jemi duke punuar në disa aspekte, edhe në aspektin e ndërgjegjësimit të drejtpërdrejtë. Jemi bërë pjesë e një pakete ndërgjegjësimi me mbështetjen e BB-së”, tha ajo.

Gjonaj tha se “bllokimi i një biznesi dhe gjobat nuk janë qëllim në vetvete”. Në këto 2 muaj e gjysmë kemi pasur 4400 kontrolle tatimore, 776 kontrolle doganore dhe më tepër se 2 mijë kontrolle nga Inspektorati i Punës, ku shikojmë jo vetëm punën në të zezë por edhe sigurinë në punë”, tha ajo.

Po ashtu, Denaj tha se “jemi vendosur në dijeni edhe për punonjësit që shkelin ligjin të cilët janë ndjekur sipas ligjit.