Tirana e ka nisur mjaft mirë këtë sezon të ri, teksa në 4 javët e para ka arritur të grumbullojë 10 pikë nga 12 të mundshme, ku është ndalur vetëm nga Teuta me një barazim 0-0.

Ndërsa nëse shohim Partizanin e vjetshëm, që u shpall kampion, në po kaq ndeshje do të grumbullonte vetëm 7 pikë.

Do ta nisnin me një humbje ndaj Skënderbeut në transfertë me rezultatin 1-0, një kundërshtar ky që Tirana e mundi me shifrat 3-1 ditën e djeshme.

Të kuqtë do të vazhdonin më pas me dy fitore ku do të mposhtnin Kamzën e Kastriotin me po të njëjtin rezultat, atë 1-0, për të barazuar më pas pa gola me Laçin, shkruan Sport Ekspres.

Tjetër dallim është edhe produktiviteti në linjën e sulmit, pasi Partizani do të shënonte vetëm 2 gola, ndërsa Tirana ka arritur të shënojë deri në këtë momënt plot 8 gola.

E vetmja e përbashkët e Partizanit në sezonin kur u shpall kampion me Tiranën e këtij sezoni, është mbrojtja, me nga 1 gol të pësuar për të dy ekipet.

Pra, në këto llogari Tirana e Memës është në hapin e duhur për t’u shpallur kampion, por pa harruar që të kuqtë kanë pasur tre ndeshje në transfertë dhe vetëm një në shtëpi, ndërsa për bardheblutë është e anasjellta.