Heqja e kontrollit fizik të mjetit për disa procedura është një tjetër risi e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila ka transformuar rrënjësisht ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Goxhja, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehu angazhimin për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, me kosto më të lira, të shpejta dhe cilësi në fushën e transportit të mallrave dhe të pasagjerëve.

Tashmë, tha ai, kontrolli fizik i automjeteve nuk do të jetë i detyrueshëm dhe një sërë procedurash që kryhen pranë Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, do të vetëdeklarohen nga qytetarët.

Konkretisht vijoi ai, rastet kur ndryshon leja e qarkullimit, shitja e automjetit, ndërrimi i targave dhe disa procedura të tjera, që duhet të kalonin në kontroll fizik, tani do të kryen vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit, si një koncept i ri që i jep përgjegjësi qytetarit, pavarësisht monitorimit dhe kontrollit që bëjmë ne.

Gonxhja tha se, “kjo nismë është me rrisk për DPSHTRR, por e kemi marrë përsipër për të lehtësuar qytetarin dhe kemi pranuar vetë deklarimin për shumë shërbime si modelin e përgjegjshmërisë së qytetarëve. Projektet që po zbatojmë në sektorin e shërbimeve të transportit synojnë krijimin e lehtësive për më shumë shërbime bazike utilitare”.

“Me këto shërbime ne i kemi kursyer qytetarëve rreth një pagë bazë vjetore ose një rrogë e 13 siç njihet ndryshe” – tha Gonxhja.

Një tjetër risi e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është edhe përmirësimi i testimit teorik dhe praktik për lejet e drejtimit. Gjithashtu edhe minimizimi i kohës për rinovimin e patentës që nga 15 ditë që ishte tashmë mund të merret në 30 minuta.

“Duhet të rregullonim, pyetësorin e teorisë që ishte jo objektiv, ngatërrestar , s’po them qëllimisht, por po them thuajse qëllimisht për ta bërë këtë një qark ku edhe kur doje të mësoje të të ikte përfundimisht kjo dëshirë. Edhe kur ti kishe ndonjë shans që ti afroheshe pyetjeve me mësim dhe ndershmëri, ti të ngecje në një farë mënyrë. Pra, ne goditëm testin e teorisë, hoqëm të gjitha pyetjet që ishin jo objektive dhe bëmë pyetje më reale dhe konkrete”, tha ai.

“Tani ky test nga një çark i koklavitur është një test objektiv me pyetje reale praktike dhe eficente që i ka kthyer besimin qytetarëve, se po të mësojnë ai merret pa ndërhyrje dhe rryshfete, ndryshe siç ishte praktika e së kaluarës”, deklaroi ai.

Gjithashtu, shpjegoi kreu i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, publikimi online i jep mundësinë mbi 50 mijë personave në muaj, të ushtrohen dhe të mësojnë testin për lejet e drejtimit.

Ai shtoi se nga vjeshta do të nisë edhe sistemi i monitorimit jo vetëm nga sallate e teorisë ku komisionerit i ndalohet të ketë akses, por edhe deri tek automjeti me të cilin testohet në praktikë, ku do ketë kamera brenda dhe jashtë, me zë dhe figurë duke ndjekur çdo gjë në kohë reale.

Në studion e ATSH, Gonxhja bëri të ditur se kemi sjellë në standarde të transparencës edhe praktikën e zgjedhjes së targave të preferuara të cilat deri dje ishin privilegj të miqësive dhe të pagesave nën dorë.

“Më vjen keq ta them që ideja lindi përsëri nga një fenomen shumë negative që kanë qenë target e famshme nën tavolinë. Nëse patentat ishin fenomeni i parë negative, e dyta ka qenë dhënia e targave për miqësira apo për shuma parash. Prandaj ne bëmë këtë me sistem transparent që për ata që kanë teka të tilla ne testuam që ato para ti fusim në arkë. Sot gjithëkush mund të porosisë targën me numrat që do, madje dhe online, dhe të ardhurat nga ky shërbim shkojnë në produkte dhe të mira për qytetarët dhe sektorin”, tha ai.

Që nga ofrimi i këtij shërbimi, janë shitur rreth 680 targa të veçanta, 150 targa jashtë serie dhe 210 targa suvenir.

Lidhur me rezultatet e Task-Forcës së Transportit Rrugor, në një muaj e gjysmë janë marrë 210 masa me rreth 2 milion lek të reja të arkëtuar nga gjobat.

L🎙VE- Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja për transformimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, heqja e kontrollit fizik të mjetit për disa shërbime, ulja e kostove si dhe rezervimet dhe aplikimet online që nga dokumentet deri te targat

Gepostet von Agjencia Telegrafike Shqiptare am Donnerstag, 1. August 2019