Nga Artur Ajazi

Shpresa e fundit, kalaja e fundit, apo “Stalingradi” i Partisë Demokratike , ka rënë përfundimisht. Eshtë shembur më në fund, dhe me shumë kosto morale për PD, edhe kështjella prej letre, e cila mbahej me pahir nga një kryetare që nuk ka njohur, dhe nuk njeh edhe sot e kësaj dite faktin se vendi ka qeveri legjitime, ka kryeministër legjitim, ka Kushtetutë, ka KQZ, ka ligje, dhe ka edhe institucione ligjzbatuese.

Edhe pse Voltana deklaronte edhe dje se “unë do të vazhdoj të jem kryetare bashkie, unë nuk dal nga zyra sikur nami të bëhet”, duket se gjithçka ka marrë rrugën ligjore. Këshilli Bashkiak është mbledhur dhe ligjëruar, dhe pritet vetëm zgjedhja e kryetarit të ri të bashkisë Shkodër. Të mbledhur disa dhjetra mbështetës “interesi” të ish-kryetares së bashkisë Voltana Ademi, ata thjesht bënë ritualin dhe zbatuan një porosi të Lulzim Bashës, i cili ende shpresonte se “Stalingradi ynë nuk do të bjerë”.

Por ashtu si Shkodra, ranë me radhë kështjellat prej letre të PD, të një partie e cila nuk ka qenë e zonja të bëjë as qeverisje, dhe as opozitën në këtë vend. E ndërsa Shkodra “ra”, pra atje do të qeverisin edhe pushtetin lokal socialistët, ajo që mbetet për tu zgjidhur është rrugëtimi i një partie e cila duket më tepër si një meteor që sillet vërdallë në hapësirë kuturru. Shtatori po afron, dhe ajo që mbetet të thuhet është se, PD ka akoma një problem shumë rradikal për të mbyllur, në grumbullin e madh të problemeve më kryesori është drejtimi, kryetari dhe kupola drejtuese e një partie shterruese.

Duke u marrë me presione, paralajmërime, kërcënime, tundje gishti gjithë ditën ndaj kryeministrit dhe “oligarkëve”, duke mos bërë asnjë ditë opozitën e duhur, por duke u marrë me gërrmime arkivash në kuesturat italiane, Partia Demokratike nuk e ka kuptuar se ka humbur më thelbësoren në misionin e saj, kontaktet e sinqerta me popullin. Duke u larguar nga çdo institucion, nga komisionet, Parlamenti, zgjedhjet, duke bërë propogandë boshe si të ishin këshilltarë lagje, milionerët e PD, menduan se pushteti do ti vinte tak-fap, dhe se shqiptarët do të harronin lehtë bëmat e tyre kur qeverisnin alldupshe këtë vend.

E ndërsa “Stalingradi” ra, tashmë duhet të bjerë bunkeri në SHQUP. Zërat ndryshe, dhe gjithë ata demokratë që janë kundër drejtimit të partisë nga njeriu “i pagabueshëm” Lulzim Basha, duhet të kërkojnë tani dhe asnjë ditë apo vit më vonë, zgjedhjet e lira në PD. Të kërkohen zgjedhjet e lira dhe garë e ndershme brënda një partie e marrë peng, dhe e tërhequr zvarrë nga një grusht milionerësh me mentalitet të theksuar anadollak.

Rënia e pritshme e “bastionit” të fundit të PD, tregoi mangësitë, dobësitë dhe kursin e gabuar në drejtimin e kësaj partie. Partia (por dhe bashkitë) nuk drejtohet me klithma, me sulme dhe akuza shpifjesh, nuk drejtohet me fjalime tallëse ndaj atyre që ke nën këmbët e tua, duke u premtuar “fitore herën tjetër”. Bunkeri në SHQUP duhet të bjerë, dhe kjo është detyrë e çdo shqupari, sado i lidhur të jetë me kryetarin, Doktorin, apo sejmenët e tyre, në rast se duan ringritjen e PD, në rast se nuk duan ti marrë zvarrë Lulzimi edhe për shumë vjet, duke i “ushqyer” me sufllaqe në rrugët dhe bulevardet e Tiranës.