Shërbimi i ekzaminimeve dhe kardiologjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ofron infrastrukturë moderne dhe kushte bashkëkohore.

Loreta Biça, Shefe e Shërbimit Kardiologjik, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se kabineti në shërbimin kardiologjik ofron të gjitha shërbimet, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve, nevojave dhe ekzaminimeve të ndryshme që kërkohen gjatë punës në spital.

“Te Kabineti i Kardiologjisë jo invazive bëhet prova e biçikletës, por dhe shërbime të tjera që i vijnë në ndihmë shërbimit të kardiologjisë dhe që janë në funksion të shërbimeve të tjera. Diapazoni i punës sonë është i gjerë dhe jemi gjithë sy e vesh për të vijuar më tej departamentin e Kardiologjisë. Bëhet koronarografi, bëhet me numër të limituar nga fondi. Po ashtu nuk bëhet dot rasti i urgjencave, pasi kemi numër të limituar mjekësh, shërbimi atje është i planifikuar, por ka kapacitetin për ta përballuar dhe rritjen e fluksit”, tha Biça.

Kardiologu Agron Meshi thotë se “koronarografia bëhet prej tre vitesh këtu te ne”. “Fillimisht ka pasur një numër më të vogël pacientesh. Në 2017 kemi pasur 1200 pacientë. Këtë vit kemi nisur me 7 pacientë në ditë. Aktualisht për çështje të uljes së numrit të rojeve që kemi, jemi në 5 pacientë në ditë momentalisht. Mendojmë që kjo do të jetë në rritje. Sa i takon pajisjeve dhe materialeve, i kemi pasur të gjitha pajisjet, ndërsa çështja e resurseve humane besoj se do zgjidhet brenda gjashtë muajve”, tha Meshi.