Akuzave dhe spekulimeve për vizitën në Siri të Ministrit të Bredshëm Sandër Lleshaj i është përgjigjur ditën e sotme në emisioni 45 Minuta me gazetarin Denis Minga zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali. Ajo tha se Lleshaj ishte atje për të vendosur kontakt me shqiptarët e tjerë të cilët qëndrojnë të izoluar atje, për të cilët po përgatitet një operacion shpëtimi.

Lidhur me aksionin për shpëtimin e Alvin Berishës, ajo u shpreh se ai nisi me kërkesën e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit italian Giuseppe Conte. Spiropali tha se në Siri tashmë janë 150 shqiptarë nga të gjitha trevat, 72 prej të cilëve nga Republika e Shqipërisë ndërsa 28 janë fëmijë.

“Në Al Hol janë 10 mijë jo siranë. Prej tyre është llogaritur që janë 150 shqiptarë të të gjitha trevave, 72 prej të cilëve nga Republika e Shqipërisë. 28 prej tyre janë fëmijë shqiptarë. Është bërë një punë e konsiderueshme nga autoritetet. Shqipëria ka qenë ndër të parat shtete që ka nisur përpjekjet për riatdhesim. Ne nuk i hyjmë debatit se kush ka më shumë merita për shpëtimin e Alvin. Është një operacion që në çdo hap që bën duhet të negociosh me një palë apo një tjetër. Një operacion shumë i kujdesshëm që rezultoi i suksesshëm. Nisi me kërkesën e kryeministrit Rama ndaj Contes, gatishmërinë e autoriteteve libaneze. I gjithë dokumentacioni është italian. Alvin është marrë nga Italia nga e ëma. Lleshaj ka qenë atje për të bërë të mundur e të tjerëve. Ata njerëz janë ende të rrezikuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të dhënat e tyre. Ajo që mund të them me siguri të plotë është se po punohet me seriozitet”, tha Spiropali.