Ministrja e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin dhe njëkohësisht Zëdhënësja e Qeverisë Elisa Spiropali, ka deklaruar gjatë fjalës së saj në Kuvend se sipas Bankës Botërore papunësia në vend ka shënuar uljen më të madhe në nivel historik. Ajo deklaroi se edhe Reforma kundër informalitetit ndihmoi në rritjen e të ardhurave.

“Ne kemi detyrë të prezantojmë një pasqyrë sa më realiste të objektivave si dhe gjendjen ekonomike në tërësi. Reformat kanë qenë të vështira dhe përcaktuese për konsolidimin e shtetit. Reformat shtet bërës shënuan kthesën e madhe. Jemi në rrugën e duhur të produktivitetit dhe punës. Sipas BB papunësia në Shqipëri shënoi këtë vit nivelin më të ulët historik. Banka Botërore thotë se ritmi i rritjes së vendeve të punës u përshpejtua. Gjatë vitit 2018 u arritën rezultate të prekshme në sektorët e ekonomisë. Reforma kundër informalitetit ndihmoi në rritjen e të ardhurave”, u shpreh Spiropali.