“Opozita ka zgjedhur rrugën dhe jo dialogun, ndërsa ne jemi të gatshëm të ulemi për hir të Shqipërisë dhe të flasim për rregullat e lojës e standardet zgjedhore”. Kështu deklaroi sot në Kuvend, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Spiropali tha se “mazhoranca ka qenë gjithmonë e gatshme për të folur për rregullat e lojës dhe standardet zgjedhore, por ne për asnjë arsye nuk do të bëjmë pazare me votën”. Ndërkohë ajo u shpreh se “opozita po pengon procesit e integrimit të vendit në BE”

“Në përpjekjen e madhe për t’iu afruar Europës në historikun shtetndërtues, Shqipëria është ballafaquar në shekuj me 2 platforma, atë të bashkimit dhe afrimit me Europën dhe platformën e pengimit. Vitet e fundit trajta e kësaj marrëdhënie është shfytyruar, sepse nuk ka pasur kurrë një përpjekje më ogurzezë për ta mbajtur Shqipërinë peng të së shkuarës dhe mos ta lënë të afrohet me Europën”, – tha ajo.

Raporti ynë me Europën nuk është thjesht burokratik, vijoi Spiropali duke shtuar se “ky raport është nevojë e patjetërsueshme drejt transformimit”.

“Kjo përpjekje e strukturuar për ta nxirë Shqipërinë këto 5 vite e gjysmë është manifestuar në të gjitha format e saj më të shëmtuara nga opozita. Edhe Reforma në Drejtësi, e anatemuar dhe e tallur nga ata, kur e panë që u doli nga kontrolli dhe po jep frytet e saj, e sulmuan sërish”, – tha Spiropali, ndërsa siguroi se kjo reformë është e pakthyeshme.