Mbrëmjen e sotme, sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë do të ndizet nga koncerti madhështor i Capital T, i cili do të mbledhë fansat e tij për një mbrëmje të paharrueshme. Koncerti është ëndrra prej një jete e reperit, për të cilën është tepër i lumtur që e ka bërë realitet. Së bashku me Kapon, sonte do të performojnë në skenë këngëtarë të njohur si Majk, Ylli Limani, Alban Skënderaj, 2po2 e Dhurata Dora.

Capital T do të na mundësojë një udhëtim në kohë me këngët e tij, ndërsa ne mezi po presim orën 19:19 për nisjen e “Time Capsule”. Vetëm pak orë para koncertit, këngëtari ka publikuar në Instagram dy foto të vjetra të tijat, ku shfaqet me mikrofon në dorë, duke treguar se muzika është pasioni i tij i fëmijërisë.

Trimi tregon se sot është dita e tij, për të cilën ka qenë gati gjatë gjithë jetës. “Sot është dita ime. Time Capsule. Kam qenë gati për këtë gjatë gjithë jetës. Krejt ju qe ishit pjese e projektit ju falenderoj nga thellsia e zemres 🙏🏻♥️ Shihemi Sonte”- janë fjalët e tij krahas fotove.

Mbetet vetëm t’ju themi të mos mungoni sonte në “Sheshin Nënë Tereza”, pasi do të bëhet nami!