Ole Gunnar Solskjaer është përgjigjur ndaj spekulimeve të vazhdueshme që e lidhin Mauricio Pochettinon me postin e norvegjezit në Manchester Unitedi, si dhe e ka komentuar kthimin e Jose Mourinhos në Premierligë me Tottenham. Mauricio Pochettino u shkarkua nga posti i trajnerit të Tottenhamit të martën në mbrëmje, pasi i ndihmoi klubit londinez të transformohet në një skuadër që e arrin top katërshen rregullisht dhe i bëri finalistë të Ligës së Kampionëve, gjatë pesë vjetëve të tij në drejtim të klubit.

Megjithatë, argjentinasi nuk pritet të mbetet për një kohë të gjatë pa punë, pasi që Bayern Munichu, Barcelona dhe Real Madridi raportohet të jenë destinacionet e tij potenciale në të ardhmen. Gjithashtu është sugjeruar se Pochettino mund t’ia zë vendin e trajnerit në Old Trafford Solskjaerit, mirëpo norvegjezi mohoi të jetë i frikësuar se mund ta humbë pozitën e tij.

“Jo, spekulimet s’më bezdisin. Unë e kam punën më të mirë në botë dhe kur je pa punë, ti e do këtë post, kështu që nuk ka me të vërtetë rëndësi çfarë ndodh përreth”, ka thënë Solskjaer. “Unë duhet të përqendrohem te puna ime në Manchester United, të bëjë punë sa më të mirë që të jetë e mundur, të flas me Edin dhe pronarët gjatë gjithë kohës për mënyrën se si duhet të ecim përpara dhe kjo nuk ndryshon as kur klubet e tjera i ndryshojnë trajnerët”.

Trajneri i Manchester Unitedit vazhdoi duke thënë se kthimi i Mourinhos në Premierligës është i mirë, para se të shprehë dhembshuri për Pochettinon. “Definitivisht është mirë ta kemi sërish Josen – veçanërisht për ju gazetarët… ndoshta edhe për mua sepse ju keni gjëra të tjera për të cilat mund të flisni dhe të shkruani”, shtoi Solskjaer. “Për Mauricion… është gjithmonë pikëlluese kur njëri ndër kolegët e tu, një njeri i mirë, e humb punën pak para Krishtlindjeve”.

Mourinho kishte qenë pa punë si trajner që kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit në dhjetor të vitit të kaluar – post ky në të cilin e zëvendësoi pikërisht Solskjaer.