Skënderbeu rihap plotësisht luftën për pjesëmarrjen në Ligën e Europës falë suksesit 2-0 ndaj Flamurtarit.

Korçarët kanë mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe dukej se i kishin dhënë shumë më tepër rëndësi faktit që të mos pësonin gol, duke lënë rrallëherë vlonjatët që të rrezikonin katërkëndorin e tyre.

Një supergol i Krasniqit dhe një penallti e Muzakës në fundin e ndeshjes kanë bërë diferencën në këtë sfidë.

Por Skënderbeu ka dominuar dhe ka kërkuar më shumë fitoren që i kthen ata plotësisht në luftën për pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare nëse kthehet vendimi i UEFA-s.

Kurse për Flamurtarin, kanë rezultuar vendimtare mungesat e lojtarëve kryesorë, duke treguar se pa alternativa në stol, skuadra e Dajës do ta ketë shumë të vështirë të rezistojë për shumë kohë në vendin e tretë në klasifikim.