Skënderbeu është në momente ankthi dhe pritje duke numëruar orët deri në vendimin final të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në lidhje me pjesëmarrjen e korçarëve ose jo në Champions. Janë momente tejet delikate, pasi nuk është vetëm pjesëmarrja ajo që do të vendoset, por do të shihet edhe mënyra sesi do të vijojnë politikat e klubit bardhekuq në lidhje me merkaton dhe, mbi të gjitha, me përgatitjen e Skënderbeut për edicionin e ardhshëm.

Pra, paraprakisht nuk është një vendim që do të shërbejë vetëm për klubin bardhekuq, por edhe për lojtarët, të cilët kërkojnë të shohin se si do të vijojë e ardhmja e tyre dhe nëse do të vijojnë të jenë ende pjesë e Skënderbeut apo jo. Për këtë arsye dhe për shumë situata të tjera, në kampin korçar këto orë pritjeje janë mjaft të rëndësishme për të ardhmen e Skënderbeut.

Sipas asaj çka paraqesin afatet zyrtare të marrjes së një vendimi, gjasat janë që përgjigjja mund të merret që sot nga KAS, pra nëse klubi do të lejohet të marrë pjesë normalisht në Europë, apo do të duhet të presë vendimin si ekip i pezulluar nga kompeticioni. Nëse ndodh e para, do të fillojë nga puna normalisht, ndërsa nëse vendimi do të jetë negativ, bardhekuqtë do të presin me po aq ankth Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për të kërkuar më pas rekursin dhe kthimin e dëmshpërblimit për këtë edicion të Champions-it.

Vendimi i KAS-it pritet me padurim edhe për vijimin e merkatos te bardhekuqtë. Me Dejvi Bregun e prenotuar, negociatat me lojtarë të tjerë kanë mbetur në “stand-by”. Por, menjëherë pas këtij vendimi do të jetë radha e lëvizjeve. Nëse gjithçka përfundon pozitivisht, atëherë Skënderbeu do të fillojë punën me rinovimet e kontratave për lojtarët bardhekuq, si dhe zyrtarizimin e kontratës së trajnerit Ilir Daja.