Të dielën në Korçë Skënderbeu luan një ndeshje të rëndësishme kundër Luftëtarit të vlefshme për javën e 17 të Superligës. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi nuk njeh fitore prej 3 takimesh, por kundër gjirokastritëve ka mundësinë të shkëpusë diferencën me Partizanin kryesues që të premten barazoi pa gola me Kukësin.

“E mendoj ndeshje shumë të rëndëishme për vetë faktin dhe pozicionin ku jemi, pasi kemi 3 takime ku nuk fitojmë”, është shprehur trajneri Shehi për mediat në prag të sfidës.

Më tej numri 1 i pankinës së korçarëve ka lajmëruar ndryshime në formacion për këtë përballje.“Nesër mendoj të bëjmë disa ndryshime. Kemi ende jo të gatshëm Krasniqin, ndërsa Dita do të mungojë për shkak kartonash. Për pjesën tjetër do të venosë më vonë”, është shprehur Shehi.

Shehi bëri një koment edhe për merkaton e janarit ku skuadra korçare synon të përforcohet. “Kemi akoma edhe dy ndeshje për të zhvilluar para se të ndërpritet kampionati. Sigurisht që do të kërkojmë të përforcohemi, por ende është shumë shpejt për të folur për merkaton.”

Skënderbeu renditet në vendin e 3 me 30 pikë, 1 më pak se Kukësi i vendit të dytë dhe 5 më pak se Partizani kryesues.