Skuadra e Skënderbeut ka filluar punën konkrete për sezonin e ri, duke përvijuar skuadrën e cila do të përballojë edicionin nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi. Ndonëse ka ende dyshime për vazhdimësinë e shumë elementëve cilësorë në radhët e klubit korçar, ky i fundit ka filluar të bëjë planet për kohëzgjatjen e fazës përgatitore dhe ka siguruar dy miqësoret e para në ditët në vijim.

Këtë javë, më 12 apo 13 korrik, ndeshja e parë do të shohë Skënderbeun përballë një kundërshtari që militon në kategoritë e ulëta të kampionatit shqiptar, fqinjët e Maliqit, ndaj të cilëve ekipi i drejtuar nga Shehi do të shohë gjendjen fillestare të lojtarëve. Më pas, ekipi ka programuar për javën e ardhshme një tjetër miqësore, ndaj ekipit të Renovës i cili do të udhëtojë drejt Korçës për të zhvilluar atje këtë sfidë mes skuadrave.

Më pas, Skënderbeu do të zhvendoset në Greqi për të vazhduar atje fazën përgatitore para fillimit të sezonit të ri, i cili për korçarët nis me pjesëmarrjen në Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit.