Të gjeje një biletë për në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen inaguruese dukej një mision tejet i vështirë. Jo vetëm për shkak të interesit të madh, por edhe të mënyrës se si u shitën.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vendosi që t’i shpërndajë ato privatisht, duke i prenotuar paraprakisht me lista dhe emra.

Jo më kot, nuk u praktikua fare blerja e biletave online të stadiumit, ashtu siç kanë bërë në ndeshjet e kaluara. Në fakt, burime pranë “Vipsport.al” bëjnë me dije se ka pasur edhe një skenar politik.

Kreu i FSHF ka ruajtur një numër prej së paku 3500 biletash për militantë politik. Ai i prenotoi me emra të eksponentëve të lartë politik të partive opozitare, të cilët më pas ua shpërndanë militantëve. Nëse do ishin vetëm në kuadrin e miqësisë dhe ato do ishin tifozë, mbase nuk do ishte problem.

Por, skandali lidhet me faktin se ata u përzgjodhën dhe instruktuan që të nisnin thirrje dhe kore politike, kryesisht “Rama ik”. Duke ditur prezencën e kryeministrit dhe shikueshmërinë e lartë të kësaj sfide, Duka ka kontribuar politikisht ndaj opozitës, jo si qytetar, por si president i FSHF.

Kujtojmë që ai ka përdorur në mjaft raste postin e tij, për të ndihmuar partinë që drejton i vëllai, e cila bën pjesë në listën e partive opozitare. Gjithsesi, rasti i fundit, shton më tepër dozën e përdorimit politik që i bëhet Federatës Shqiptare dhe trajtimit të saj si një biznes personal. (VipSport)