Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri është njëherazi edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Dhimitri do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e listës prioritare të vetingut. Seanca dëgjimore me gjyqtarin Enton Dhimitri është planifikuar të zhvillohet të mërkurën në orën 11.30. KPK përfaqësohet nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko. Enton Dhimitri e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2004, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Ai e ka ushtruar funksionin për pak kohë në Gjykatën e Kurbinit, për t’u emëruar më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës. Në vitin 2013, Dhimitri u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, detyrë të cilën e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Enton Dhimitri nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Enton Dhimitri deklaroi 4.3 milionë lekë pasuri në vitin 2004, të cilat i përkisnin prindërve dhe vëllait. Vetë gjyqtari nuk zotëronte asnjë pasuri personale në kohën e fillimit të karrierës. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Dhimitri është 15.2 milionë lekë. Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga pasuritë e paluajtshme në vlerën e 9.4 milionë lekëve. Gjyqtari Dhimitri dhe bashkëshortja e tij zotërojnë një apartament në Gjirokastër dhe një apartament në Sarandë, si dhe ¼ e një shtëpie të përfituar përmes trashëgimisë nga bashkëshortja.

Gjithashtu, gjyqtari zotëron familjarisht likujditete bankare me vlerë 3.4 milionë lekë, pasuri të luajtshme me vlerë 2.2 milionë lekë dhe rreth 110 mijë lekë kursime në cash. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 26.1 milionë lekë. Rreth 90 për qind e të ardhurave përbëhen nga pagat nga funksioni e zotit Dhimitri dhe e bashkëshortes së tij. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 13 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për gjyqtarin Dhimitri.

Gjatë analizës u evidentuan disa “flamuj të kuq”, kryesisht mbi të ardhurat dhe asetet e deklaruara më vete nga bashkëshortja. Konkretisht në vitin 2009, bashkëshortja e gjyqtarit e cila punonte si drejtuese e një banke të nivelit të dytë në Gjirokastër deklaroi pasurinë e saj, pa detajuar të ardhurat e saj ndër vite. Ndërsa në vitin 2010, ajo deklaroi blerjen e një apartamenti me vlerë 10 mijë euro në Sarandë, nga të cilat 6 mijë euro rezultojnë ende të pashlyera deri në fund të vitit 2017 ndaj kompanisë së ndërtimit. Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.