UEFA do të ndëshkojë me gjobë Federata e Francës për skandalin me himnin para fillimit të ndeshjes kundër Shqipërisë.

Autoritetet e futbollit francez jetuan disa minuta të gjata të turpshme, të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Stade de France”. Ndërkohë që ekipi francez do të zhvillonte ndeshjen me ekipin e Shqipërisë, në altoparlantë u dëgjua himni i … Andorrës, kundërshtari i ardhshëm i ekipit francez të drejtuar nga Didier Deschamps.

Në bazë të rregullores për raste të tilla, Federata e Futbollit të Francës pritet të ndëshkohet nga 5 deri në 10 mijë euro gjobë, për shkak të mangësive në organizimin e ndeshjes ndërkombëtare, të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2020.

Takimi i luajtur në “Stade de France” në Paris nisi me 6 minuta vonesë, pasi Kombëtarja nuk pranoi ta niste lojën derisa të ekzekutohej himni shqiptar. Gafa vazhdoi edhe me spikerin nga fonia e stadiumit, i cili kërkoi ndjesë për Armeninë dhe jo Shqipërinë.