Kryeministri Edi Rama deklaroi se në datë 16 dhjetor do të kemi raportin e parë për dëmet, që do të jetë paraprak, pasi finali pritet që të dalë në fund të janarit të 2020 për të shkuar në konferencën e donatorëve.

“Nuk ka ende nuk raport paraprak të dëmeve përfundimtare. Një grup me ne Bankën Botërore dhe OKB është duke punuar, në 16 dhjetor synohet të dalë raporti i parë paraprak. Do të ketë një raport paraprak, një të dytë dhe një final në fund të muajit janar për t’i hapur rrugë konferencës së donatorëve” tha ai. Jo të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në qytetin e Durrësit janë akomoduar në apartamente me qera. Kjo sepse ka pak apartamente për tu marrë me qera në qytet dhe kryeministri dha një propozim tjetër.

“Po punojmë për një zgjidhje jo aq optimale, jashtë Durrësit dhe shikojmë mundësinë e akomodimit në periferinë perëndimore të Tiranës. Nuk ka apartamente” tha Rama. Sa i takon familjeve të prekura në Tiranë të gjitha janë drejt akomodimit në apartamente me qera.

“Nga 1120 familje të prekura në Tiranë mbi 900 janë të akomoduara, ndërsa pjesa tjetër janë në akomodim e sipër.” Ndërkohë Rama tha se është momenti për të nisur me riparime për banesa individuale ndërkohë “që bëjmë plane për ndërtesa të mëdha”. Javën tjetër do të prezantohet aplikacioni në lidhje me transparencën e fondeve.