Serbia është urdhëruar që të luajë ndeshjen tjetër futbollistike kundër ekipit të Luksemburgut me dyer të mbyllura për shkak të qasjes raciste të tifozëve në ndeshjen kundër Portugalisë, që është zhvilluar muajin e kaluar në Beograd.

Ndeshja e 14 nëntorit kundër Luksemburgut do të zhvillohet në kuadër të takimeve për kualifikim në Kampionatin Evropian të Futbollit më 2020.

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka thënë përmes një deklarate se Asociacioni i Futbollit të Serbisë është ndëshkuar edhe për hyrje të tifozëve në fushë, ndezje të fishekzjarreve dhe thirrjeve të paligjshme.

“Departamenti Kontrollues, Etik dhe Disiplinor ka vendosur të urdhërojë Asociacionin serb të Futbollit të luajë dy ndeshjet e ardhshme në kuadër të garave të UEFA-s, me dyer të mbyllura”, ka thënë Federata Evropiane e Futbollit përmes një deklarate.

Serbia po ashtu është ndëshkuar edhe me 33,250 euro gjobë, si dhe i është kërkuar të shfaqë në stadium mbishkrimin “#EqualGame” (#LojëeBarabartë) me logon e UEFA-s në dy ndeshjet e radhës ku është nikoqire.

Ekipi i Serbisë renditet i treti në Grupin B me 10 pikë, nëntë pikë mbrapa Ukrainës, e cila tashmë ka fituar kualifikimin dhe është një pikë mbrapa Portugalisë, që zë pozitën e dytë.