Situata në skuadrën e Real Madridit është e tensionuar, përderisa klubi është duke u përgatitur për ndeshjen hapëse të sezonit të ri të La Ligës, kundër Celta Vigos si mysafir. Skuadra e Zinedine Zidane ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë gjatë kohës së fundi, pasi që vera nuk u shkoi ashtu siç ishte pritur. Problemet e sezonit të kaluar, përkundër transferimeve të reja, ishin të qarta edhe gjatë turneut parasezonal, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Çfarëdo rezultati përveç fitores në Balaidos do të sjellë dyshime sërish rreth klub, duke filluar nga lojtarët e deri te stafi teknik. Zinedine Zidane e di se ai është nën vëzhgim pas rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta gjatë turneut parasezonal. Skuadra mund ta gjejë veten nën presion të madh nëse nuk e nis me këmbë të mbarë këtë sezon,

Zidanit i është kërkuar ta rindërtojë skuadrën, e cila sezonin e kaluar e zuri vetëm vendin e tretë në La Liga. Lojtari i ri, Eden Hazard, i shfaqi disa momente brilante gjatë parasezonit dhe kjo u dha “Los Blancos” pak shpresë. Megjithatë, në skuadrën e Real Madridit pritet të bëhej një revolucion gjatë këtij afati kalimtar të verës, por skuadra nuk duket shumë më ndryshe sesa ajo e sezonit të kaluar.

Real Madridi nuk ishte mbresëlënës në ndeshjet e fundit dhe kjo e ka shtuar edhe më shumë presionin për ta ndryshuar gjendjen. Me pritshmëritë që Real Madridi të rikuperohet, presioni tani është mbi shpatullar e lojtarëve për të siguruar rezultate të mira qysh në ndeshjen e parë.

Me rezultate pozitive, skuadra mund të përmirësohet. Mirëpo, një hap i gabuar në fillim të sezonit do t’i komplikojë edhe më shumë gjërat për “Los Blancos”, veçanërisht për shkak të situatës së tensionuar në “Santiago Bernabeu”.