Rodrigo Moreno mund të përfundojë nën urdhërat e Diego Simeone. Për këtë, Atlético Madrid ka nisur të punojë. Megjithëse James Rodriguez e vuri emrin dhe mbiemrin në krye të listës së dëshirave të “rojiblancos”, sulmuesi i Valencias tani hyn në skenë me forcë. Ka dy arsye, kryesisht, që kanë çuar në kthesën e Atlético Madridit drejt Rodrigo, bën me dije “Marca”. Nga njëra anë, kompleksiteti që mbart rekrutimi i James. Nga ana tjetër, nevoja për të gjetur një sulmues garancie, që rrit konkurrencën e Morata dhe Diego Costa.

Sidoqoftë, plani i Atlético Madridit me James kalon përmes sosjes së durimit të “Los Blancos”, derisa këta të fundit “të detyrohen” të negociojnë transferimin e kolumbianit, që do të lejojë nisjen e operacionit “Neymar”. Dëshira e Florentino Pérez është për të mos e forcuar rivalin e tij të përjetshëm me një lojtar të këtij niveli, ndaj kjo i zvogëlon shpresat e transferimit, edhe pse kolumbiani ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur në “Wanda Metropolitano”.

Tashmë, performanca dhe analiza e grupit kanë çuar në rishikimin e objektivave. Kështu, me Joao Félix, Lemar, apo edhe Vitolo, që mbulojnë zonën e mesit, po studiohet mundësia e ndarjes së investimit të mëtejshëm në majë të sulmit. Me Saponjic pa hyrë ende në planet e Simeone, duke marrë të mirëqena lamtumirën e Kalinic dhe Correa, prania e vetme e Morata dhe Costa në majën e sulmit duket e pamjaftueshme, përkundër faktit se ato formojnë një duet, nga i cili priten shumë gola.

Në tryezë është hedhur emri i Rodrigo, ky është lajmi befasues që vjen nga zyrat e “Wanda Metropolitano”. Me Valencian ende nuk kanë filluar bisedimet. Përkundër kësaj, Atlético Madridi është i vetëdijshëm për predispozicionin e klubit, që zotëron kartonin e Rodrigo. Në rast të një oferte të mirë, Valencia është gati të ulet në diskutime. Thënë ndryshe, një shifër rreth 60 milionë euro përshtatet me buxhetin e rezervuar nga “rojiblancos” për të fuqizuar grupin në pjesën e mbetur të merkatos, pa e tejkaluar kufirin e lejuar të pagave.