Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet rigoroze për të monitoruar zbatimin e kërkesave ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor, në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit dhe interesit të konsumatorëve.

Sipas njoftimit të AKU, nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë kryer 27 kontrolle zyrtare në stabilimentet e operatorit të biznesit ushqimor (me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve). Janë vendosur 10 masa administrative “Paralajmërim”. Është vendosur 1 masë administrative “Gjobë” me vlerë totale 200.000 lekë. Është vendosur masa administrative “Bllokim produkti” për 15,8 tonë produkt “farë gruri” e konstatuar e pasigurt.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon intensifikimin e kontrolleve zyrtare të Sigurisë Ushqimore për të parandaluar çdo praktikë abuzive në dëm të shëndetit konsumatorëve. Ndaj ju bën thirrje dhe nxit çdo formë bashkëpunimi me konsumatorët në kontaktet e vëna në dispozicion, në kuadër të sfidës së përbashkët të Sigurisë Ushqimore.