Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 65.5 kg ushqime të pasigurta dhe ka gjobitur në vlerën 1.7 milionë lekë, 5 subjekte që ushtronin aktivitet në mungesë të higjenës, dhe tregtonin produkte shtazore me ngarkesë mikrobiologjike dhe produkte të skaduara.

Në një njoftim të AKU-së, citohet se, “Drejtoritë Rajonale të AKU-së, qarku Tiranë, Dibër, Korçë dhe Shkodër, nga kontrollet e ushtruara kanë konstatuar 5 subjekte, me aktivitet “Supermarket”, “Pastiçeri”, “Njësi tregtimi”, “Restorant” dhe “Magazinë ushqimore”, që tregtonin produkte të pasigurta për konsum human”.

Sipas AKU-së, subjekti “Maliq Begteshi” me aktivitet “Supermarket ushqimor”, Tiranë, tregtonte produkte ushqimore (djath, mish dhe kofsha pule) në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe tregtimi (produktet e mishit mbaheshin në të njëjtin ambient frigoriferik me pije freskuese dhe jo në frigorifer ngrirës). Analizat e mostrave të produkteve të mishit dhe djathit konfirmuan se produktet kishin ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella spp dhe nivel mbi normën e lejuar të Enterobaktereve). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme: “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum), “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit), si dhe “Asgjësim i produktit” për sasinë prej 17.8 kg produkte të pasigurta për konsum human.

Subjekti “Zeliha Demiri” me aktivitet “Pastiçeri”, Tiranë, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (prani myku në tavolinën e punës, mungonte analiza e ujit, nuk ishte kryer shërbimi DDD, punonjësit nuk kishin libreza shëndetësore të vlefshme dhe prani e sendeve të tepërta në ambientin e punës). Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara.

Subjekti “Ëngjëllushe Koçi” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Bulqizë, tregtonte produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi (miell, komposto, amita, llokume, reçel, fruta të thata etj). Për shkeljen e konstatuar trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 28.7 kg produkte ushqimore të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre.

Subjekti “Idajet Shkulaku” me aktivitet “Restorant”, Dardhas, Pogradec, tregtonte produktin “mish viçi” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masën administrative “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 19 kg mish të pasigurt për konsum human, me qëllim asgjësimin e tij.

Subjekti “Ent publik – Magazinë ushqimore për grupe të veçanta popullsie (çerdhe, kopshte)”, Shkodër, ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Gjatë kontrollit u konstatua se: subjekti (ent publik) nuk dispononte frigoriferë për ruajtjen e produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, mungonte tualeti, pajisjet brenda magazinës kishin prani ndryshku, nuk dispononte leje/certifikatat përkatëse higjeno-sanitare për automjetin e transportit të ushqimeve, si dhe agjentët e pastrimit dhe dezinfektantët ruheshin në të njëjtat ambiente me ushqimet. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë.

AKU bën të ditur se vijon të monitorojë tregun në mënyrë sistematike në mbrojtje të sigurisë ushqimore për konsumatorin.