E ndërsa sot shkolla “Servete Maçi” çeli dyert për nxënësit e saj pas rindërtimit të plotë, 7 vite më parë u planifikua prishja e saj. Në vitin 2012 qeveria “Berisha” por edhe Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Basha planifikuan prishjen e kësaj godine. Por protestat e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të gjithë komunitetit të Njësinë Nr 8 dhe 9 të qytetit bënë që qeveria të tërhiqej nga prishja e saj, ndërsa gjendja vijoi të degradonte si pasojë e mosvënies dorë. Një fakt i tillë u risoll në vëmendje edhe sot nga drejtoresha e kësaj shkolle, Nertina Nallbati e cila prej 26 vitesh është mësuese në këtë institucion arsimor i cili mbart mbi vete mbi 95 vite histori.

“Falenderoj prindërit që në 2012 kur do të mbyllej edhe si program, prindërit nuk e lejuan. Shkolla “Servete Maçi” jo vetëm që nuk u mbyll, por u arrit që të bëhej një nga shkollat më të mira të qytetit. Kam 26 vjet në këtë shkollë si mësuese dhe e kam parë si ka qenë dhe si është e kam vënë re ndryshimin. Arsimi ka marrë një vëmendje të veçantë nga qeveria dhe nga Bashkia e Tiranës, jo vetëm nga përmbajtja por edhe nga përmirësimi i infrastrukturës veçanërisht do të falenderoja z. Erion Veliaj që e ka ndjekur hap pas hapi që nga themelet e deri në inaugurimin e saj”, deklaroi Nertina Nallbati.