Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, gjate nje pritje ne Pallatin e Brigadave, me rastin e 28 Nentorit Dites se Pavaresise.

Ish-kreu i shtetit rrefen të gjithë odisenë e Ministrit të Brendshëm, i cili kërkoi që të bëhej presion ndaj Kryeprokurores

Deri tani ka pasur vetëm disa pasazhe që kanë ardhur nga rrëfime të treta, por tashmë gjithçka është zbardhur nga protagonisti i plotë i ngjarjes.

Bamir Topi, Ish-President i Republikës, tregon në librin e tij “Nocturn, Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, me detaje gjithçka ndodhi ditët e para e pas 21 janarit, kur Prokuroria kërkonte të arrestonte krerët e Gardës së Republikës, që ishin kapur live duke qëlluar mbi qytetarët e pafajshëm në Bulevard, ku u vranë 4 prej tyre dhe për të cilët ende nuk ka drejtësi edhe sot pas 8 vjetësh.

Në numrin e sotëm të TemA Javore do të lexoni të gjithë pasazhin e rrëfyer nga ish-kreu i shtetit për liderin e sotëm të opozitës, që atëherë ishte ministër i brendshëm dhe drejtoi operacionin policor, nga i cili u vranë 4 qytetarë…

Rrëfimi i Bamir Topit

Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në një zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshihte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.

— Mirëmëngjesi, mirë se erdhe! — hapa bisedën.

— Mirëmëngjesi! — Ndoshta herët se është dhe e diel! — më tha.

— Jo, i thashë. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç’po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç’po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? — vazhdova bisedën.

Pas një hezitimi të shkurtër më thotë:

— Në fakt këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës!

Ai jo vetëm kishte ardhur me porosi të Saliut, por po përsëriste besnikërisht të njëjtat fjalë që shefi i tij i kishte thënë publikisht një ditë më parë.

— Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni te Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! — tha Luli duke e mbyllur kërkesën e tij.

Ky ishte sipas meje çasti që do të kuptohej nëse presidenti do të merrte pozicion në favor të qeverisë apo të kryetarit të shtetit, ku shërbimi i tij duhet të jetë kushtetues dhe jo arbitrar. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe vendosmëria për të mbështetur prokurorinë ishte e palëkundur.

— Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demonstruesit, policët, gardistët e kushdo qoftë pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. i kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe Garda apo Policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin.

Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim më njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme.

— Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikoj se do të shkojë jo mirë!

Pasi dëgjoi fjalinë e fundit, të dy në të njëjtën kohë u ngritëm, u përshëndetëm ftohtë dhe u ktheva në mendime, duke parashikuar shpërthimin e një njeriu, të cilin e njihja mirë, Sali Berishës, në kushtet kur do të akuzohej për vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm në bulevard, jo në territorin e rrethuar të godinës së qeverisë.

Sipas Mero Bazes, i cili kishte miqësi të afërt me Sokol Olldashin, rrëfehet një bisedë që këta të dy kishin bërë lidhur me përfshirjen e emrit tim në akuzat e rënda që shoqëronin dështimin e takimit të Bashës me mua. Sokoli i kishte thënë se “përfshirjen e Bamirit në listë me të tjerë, e shikoj si pafuqi të Bashës për të kundërshtuar paranojën e Berishës”. Madje Olldashi i kishte treguar për një vizitë të Bashës në zyrën e tij, pikërisht në kulmin e ngjarjeve. Sipas tij, Luli ishte i trembur nga gjithçka ndodhte brenda e jashtë Kryeministrisë. Kur situata precipitoi dhe u pa se ishin vrarë njerëz, Luli u lidh me Bamir Topin dhe Ai (unë) e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye ishte më i qetë.

E vërteta ime (Bamir Topi) është në një drejtim tjetër. Kur ende nuk ishin vrarë njerëzit në bulevard, kur po shikoja që punonjësit e policisë kishin rënë nën dhunën e demonstruesve, i telefonova Lulzim Bashës për ta pyetur dhe për t’i shprehur mbështetje për policët. Basha nuk u përgjigj për rreth dy orë dhe mesa duket është momenti kur ndodhej tek Sokol Olldashi kur më ka telefonuar.

Nuk ka pasur asnjë ftesë nga ana ime për ta ftuar në Presidencë, edhe për faktin se ngjarjet po i ndiqja nga zyra në mjediset e shtëpisë së bashku me bashkëpunëtorët e mi. Përkundrazi ishte dita e diel, 23 janar që unë e kam takuar Lulzim Bashën, në shtëpinë time, me kërkesën e tij, gjë të cilën e kam përshkruar në mënyrë të hollësishme më sipër. Sipas Olldashit, që ka gabuar në rrëfim ditën dhe vendin e takimit ose i ishte thënë qëllimisht nga Lulzim Basha, ky i fundit i kishte thënë për mua se nuk isha negativ dhe i kisha thënë të kishte kujdes me letrat se ka ngjarje (fakt ky që është i vërtetë). Sokol Olldashi kishte vazhduar të tregojë se gjatë bisedës me Lulin kishte telefonuar Berisha dhe i kishte thënë diçka të rëndë për Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Kishin shkuar së bashku me Lulin te zyra e Berishës, i cili sipas Sokolit ishte totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit.

Berisha ishte hedhur në sulm kundër meje. Luli nuk kishte folur. Sipas Sokolit, këtu kishte kuptuar që Basha nuk i kishte treguar që kishte takuar Bamirin. Sokoli kishte marrë në telefonin e zyrës së Berishës njërin nga rojet dhe e kishte pyetur se ku isha unë. Ai i ishte përgjigjur që isha në shtëpi (e vërtetë). Berisha e kishte pyetur se me kë po fliste dhe Sokoli i kishte treguar me rojen e Bamirit. Në ato momente Berishës i kishte rënë tërbimi dhe i kishte thënë që ta linte e të mos na ngatërronte tani, sepse ai e kishte bërë puçin.

Ishte e qartë që i duhej puçisti. Basha e kishte kuptuar këtë dhe filloi të fliste. i kishte treguar se kishte qenë në takim me mua, për të më bërë thirrje, sipas tij, për të ndaluar puçin, por ai (unë) i paskam thënë: “kujdes me letrat”. Sokoli kishte përfunduar duke thënë se versioni i ri i Bashës ishte emocional dhe krejt i ndryshëm nga ajo që i kishte thënë pak më parë.

E vërteta (sipas meje Bamir Topi): Luli, sikurse e kam përshkruar, erdhi me kërkesën e tij në shtëpinë time dhe më foli për kërkesën e Sali Berishës që të ndërhyja tek Ina Rama. Siç kuptohet ata po i ruheshin edhe Olldashit.

Pas pak orësh, nga ky çast, u mblodh grupi parlamentar i mazhorancës, ku po projektohej një skenar i zi, i ideuar nga urdhëruesi i masakrës në bulevard.

Të dielën, pas takimit me Lulzim Bashën, njoftohem se do të më bënte një vizitë në shtëpi një nga figurat emblematike të Sant Egidios, Monsignor Paglia, me të cilin isha takuar disa herë, madje sa herë do të vizitoja zyrtarisht Vatikanin, darkën do ta hanim së bashku. Pa dyshim emri i tij njihej mirë në botë dhe në Shqipëri, për rolin e jashtëzakonshëm që kishte luajtur në zgjidhjen e krizave që dukeshin pa rrugëdalje.

Rreth orës 13:00, në oborrin e shtëpisë shfaqet Monsignor Paglia i shoqëruar nga miku im Andi Seferi, i cili prej vitesh punonte afër me Sant Egidion, bile që nga lufta e Kosovës më 1999-n. Madje, sikurse thuhet, gjatë kohës së krizës në Kosovë, kur Millosheviçi detyroi presidentin Rugova të shfaqej në takim

me të në Beograd, që nënkuptonte një pengmarrje të turpshme, ishte Paglia me të tijtë që ndërhynë për të bërë të mundur largimin e presidentit Rugova drejt Romës, duke i garantuar jetën dhe ruajtjen e dinjitetit në kushtet kur Millosheviçi kishte humbur arsyen.

U përshëndetëm përzemërsisht me Monsignor Paglian dhe u ulëm të bisedojmë. Ishin dy ditë pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit dhe ai me ndjeshmërinë e lartë për Shqipërinë ishte këtu për të njohur situatën dhe për të ndërmjetësuar. Aty më dha të kuptoj se kishte takuar përpara Berishën dhe në mënyrën e tij elegante po dëshmonte një gjendje të rënduar psikike të tij, nga i cili kishin dalë shumë akuza e fyerje. Pas takimit me mua do të provonte ta takonte sërish. Ishin miq, por kësaj here nuk kishte asgjë që mund të quhej miqësi midis tyre. Unë i bëra panoramën e ngjarjeve me realizëm, me qetësi, duke iu shmangur gjykimit tim personal për personalitetin e Berishës.

Me një sjellje tipike të njeriut me shumë eksperiencë më tha se duhej të ruaja qetësinë, ekuilibrin e kreut të shtetit, edhe kur të tjerë e kishin humbur atë. Më tej më tha që pasdite do të kthehej në Romë dhe nuk harroi të thotë që për çdo gjë që e sheh të nevojshme, t’i thosha! E përcolla deri te makina dhe u përqafuam me ndjenjën dhe parashikimin se takimi i tij me Sali Berishën nuk do të sillte asgjë dhe, siç u informova më vonë, ashtu kishte ndodhur.

Tashmë Berisha në atë gjendje të rënduar psikike i shikonte armiqtë kudo, brenda dhe jashtë vendit.

Të dielën në mbrëmje ai mblodhi Parlamentin, ku deputetët besnikë të Sali Berishës bërtisnin për grusht shteti. Dita iku shpejt dhe lufta mediatike ishte vendosur në gojë të gazetarëve apo analistëve, të cilët ishin pozicionuar në llogoret e palëve.

Ndërkohë unë isha në kontakt me miqtë ndërkombëtarë te të cilët ndihej shqetësimi në rritje. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që kryeministri, veç opozitës, ishte futur në konflikt me shtetin dhe përfaqësuesit e tij.

Në mbledhjen e qeverisë, djallëzia e Berishës kishte arritur kulmin. Ai foli këtu për server të paprishur të Kryeministrisë, që ta ketë si alibi se nuk kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhës, sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë.

Në fakt serveri ishte fshirë natën e 21 janarit, ku Berisha ishte fshehësi i së vërtetës së hidhur që do të tregonte se çfarë ndodhi brenda zyrave të tij, çfarë urdhrash u dhanë dhe kush ishte atë ditë atje.

Në një takim me pjesëtarë të Gardës dhe familjeve të tyre u improvizua një nga aktet më të shëmtuara të një njeriu me karakter të keq e moral të deformuar, një arkitekt i së keqes dhe një gënjeshtar profesionist, i cili në arsyetimin e tij kriminal ndryshon versionin e ngjarjeve duke shpikur teorinë e puçit të shtetit.

Edhe në mbledhjen e qeverisë kishte thënë të njëjtat gjëra. Pas disa fjalive përshëndetëse me të pranishmit filloi të flasë për ngjarjet e 21 janarit duke ngushëlluar me hipokrizi familjet e të vrarëve nga urdhrat e tij dhe më tej nxori xhevahiret që janë fiksuar në histori si shprehje vulgare të padenja për një kryeministër:

— Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk janë gjë tjetër veçse horra apo lavire bulevardi, duke nënkuptuar qartë presidentin dhe kryeprokuroren. Ndërsa shprehej kështu, në buzën e poshtme dallohej qartë një plagë “herpes labialis”, që për mjekët është shenjë e qartë e një stresi që ai kishte kaluar gjatë natës, stresi që shoqëron përgjithësisht ngjarjet që kanë mbi shpinë ndjenjën e një mëkati të madh. Madje kishte thënë se në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë, kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë.

Në fakt ai që fliste për institucion kishte provuar më se një herë që ishte përdhunuesi më mizor i tyre. Pas kësaj deklarate mizore që nënkuptonte një përplasje brenda shtetit, po largohej në një farë mënyre vëmendja nga opozita dhe sulmi do të fillonte me kreun e shtetit, prokurorinë, SHISH, disa gazetarë me emër si Mero Baze, Sokol Balla, Andi Bushati, Artan Hoxha, që kishin thënë të vërtetën e madhe për çfarë kishte ndodhur.

Nuk kishin kaluar disa minuta kur më telefonojnë me radhë Sali Shehu, Sami Gjergji, Aleksandër Biberaj, duke kërkuar takim për t’u konsultuar për situatën së bashku edhe me Besnik Mustafajin. Pa kaluar 30 minuta nga fjalimi kërcënues i Sali Berishës banesa ime ishte blinduar me oficerë të Gardës, njerëz të SHIU-t dhe besnikë të Sali Berishës. Kryetari i shtetit ndihej i rrethuar, gati-gati si në arrest shtëpie. Thërrita shoferin tim, Kujtimin, një mikun tim dhe të familjes, njeri besnik, duke i thënë se si është situata rreth e qark shtëpisë.

— Ç’e pyet! Rrethim i gjallë, — dhe filloi të shajë me vete pa kuptuar që fjalët dilnin me zë.

— Mirë, mirë, mos u shqetëso dhe fute makinën në oborr! — i them, duke i treguar drejtimin se nga do të shkonim.

— Nuk do ta lajmërojmë grupin e shoqërimit? — tha i shqetësuar ai.

Jo, — i thashë prerë, — bëj atë që të thashë!

Shkova, u vesha sportiv dhe u futa në makinë i ulur mbrapa. Makina po dilte nga rruga e shtëpisë sime duke shkaktuar lëvizje e dyshime te rojet e shumtë që raportonin direkt tek eprorët e tyre, të cilët duhej të ishin të ndaluar për përfshirje në ngjarjet e dy ditëve më parë. Përfytyrohet që siguria e jetës sime ishte tashmë në duart e miqve të kryeministrit. Shprehja filozofike “Miku i armikut tim është armiku im”, po zbatohej në këtë situatë. Kjo pamje ishte dëshmi se si shteti po jepte shenja të mosfunksionimit të tij. Disa ngjarje në ditët në vazhdim do të vërtetonin atë çka thashë më sipër.

Makina kaloi postbllokun kryesor dhe u fut në rrugicat plotësisht në errësirë dhe pas dy manovrimeve në zonën e Kinostudios u kthye për të marrë rrugën e Dajtit, duke u siguruar se askush nuk kishte mundur të na ndiqte. Po shkonim në një lokal mbi Linzë, ku do të takohesha me miqtë e mi të politikës, por edhe të familjes.

Kur arritëm në vendin e takimit sigurisht nuk kishte asnjeri, përveç pronarit të saj. Rruga e Dajtit ishte e shkretë, në errësirë dhe super e amortizuar.

Kujt mund t’i shkonte në imagjinatë që kreu i shtetit po udhëtonte në ato kushte në errësirë e në një natë të ftohtë dimri, me erë dhe pa hënë. Në ato kushte ndihesha më i sigurt vetëm sesa me njerëz që më konsideronin si armikun e shefit të tyre. Dramatike por e vërtetë.

Në një mjedis të rezervuar të lokalit ishin të gjithë miqtë e mi, te të cilët kishte një shqetësim në ekstrem, se ku mund të shkonin gjërat. Biseduam për rreth një orë. Konsulta ishte e vlefshme dhe e qartë. Do të ruhej gjakftohtësia dhe do të mbahej pozicioni kushtetues i kryetarit të shtetit. Nuk do të futesha në polemika politike dhe do të prononcohesha si njeri i shtetit dhe në momentin e duhur.

U përshëndeta me miqtë e mi dhe u largova përpara tyre. Kthimi nga Dajti, ndonëse rruga kishte më shumë gropa se asfalt, më kujtoi një kërkesë që Besnik Mustafaji i pati bërë në një mbledhje të grupit parlamentar kryeministrit, për asfaltimin e rrugës turistike të Dajtit, ku përveç turizmit, kishte mbi 60 bare e restorante që kishin mbyllur praktikisht aktivitetin e tyre, pasi nuk shkonte asnjeri.

— Doktor, mendoj se është e rëndësishme të vihet dorë te rruga e Dajtit, pasi është zonë turistike që pëlqehet nga banorët e Tiranës, — tha Besniku.

Përgjigjja e Berishës ishte shumë cinike:

— Pse vetëm për një njeri do ta bëjmë rrugën! — duke nënkuptuar shtëpinë që Besniku kishte në Priskë të Dajtit.

Në fakt Sali Berisha kishte çuar dhe asfaltuar rrugë deri në Viçidol, në fshatin e tij me dy shtëpi dhe arsyeja e vërtetë ishte thellë në botën e tij. Ai e urrente çdo identitet që lidhej me Tiranën, ndonëse vetë kishte “privatizuar” vilën shtetërore në Dajt, ku shkonte shpesh me teleferik apo helikopter, ku ishte kujdesur që nga teleferiku deri te vila rruga të ishte e asfaltuar mirë.

Në këtë përhumbje të shkurtër, më shkonte mendja pse i urrente pronarët autoktonë të Tiranës dhe pse ideoi dhe miratoi atë ligj që i dënonte për herë të dytë pas shtetëzimit të tokave në vitin 1946.

I kërkova kryetarit të Prokurorisë së Apelit, z. Shkëlqim Hajdari, të vinte të jepte një panoramë nga këndvështrimi i tij se ç’po ndodhte me grupin e hetimit. Kisha bindjen që do të jepte detaje të parrëfyera nga të tjerët.

Kthimi në shtëpi u shoqërua me një lëvizje elektrizuese të njerëzve të Gardës, por në makinë dukej vetëm shoferi. Rruga ishte mbushur me njerëz civilë, ndonëse nuk më bënte asnjë përshtypje. E njihja mirë urdhëruesin e këtyre masave, i cili kërkonte të ushtronte presion psikologjik, pa arritur kurrë te qëllimet e tij.

Në mbrëmje erdhi me porosinë time Bahri Shaqiri për të më informuar për situatën e sigurisë dhe ngjarjet që zhvilloheshin me shpejtësi. Pasi më informoi lidhur me pyetjet që i bëra, më thotë:

— President, njerëzit e mi sapo më kanë raportuar që është ngritur një njësi operative e fshehtë si pjesë e Gardës, që do të merret me survejimin tuaj, të banesës dhe lëvizjeve.

Kjo strukturë konspirative që do të bashkëpunonte ngushtë me SHIU-n, drejtohej nga Dritan Osmani, oficer, i cili sipas informacioneve që merrja nga SHISH do të organizonte survejimin nga të paktën tri pozicione të banesës sime. Një pozicion ishte në katin e fundit të një pallati mbi restorant “Fresku”, nga dukej i gjithë oborri i shtëpisë.

Një miku im do të vërtetonte atë që thoshte Bahri Shaqiri. Miku im njihte ndërtesën dhe pronarin e dy apartamenteve në katin e fundit të pallatit, i cili kishte bashkëpunuar për të liruar pikërisht apartamentin që dilte në një tarracë nga dukej oborri i shtëpisë sime, pozicioni verior i saj. Një tjetër, 50-60 m në lindje të pronës sime ku është kapur dhe personi duke filmuar me kamera dhe e treta, një bazë tjetër 50-60 m në jug të pronës sime, ku në një shtëpi të marrë me qira ndërroheshin targa makinash, që shpesh janë identifikuar pas makinës sime. Pra kishte filluar vërtet një proces që mund të quhet një grusht shteti brenda shtetit nga njerëzit e kryeministrit dhe pjesë e strukturës së SHIU-t të Ministrisë së Mbrojtjes, kundër kryetarit të shtetit.

Në këto kushte, ndonëse ishin njoftuar për këto veprime, filloi një “betejë” midis një strukture ligjore, sikurse ishte SHISH dhe njerëzve të një strukture konspirative që ndiqnin kryetarin e shtetit në çdo lëvizje të tij.

Disa ditë pas 21 janarit, ditë e diel, vura në dijeni Bariun që do të lëviz vetë me makinë private për të parë ato lëvizje që përshkrova më sipër. SHISH ishte në dijeni të makinës së SHIU-t që priste daljen e makinës sime dhe po shikonim lëvizjen e tyre. Ishte vetë Dritani, pa ditur që po vëzhgohej. Sapo dola nga banesa me makinë, u informova që këta ishin vënë në lëvizje. Nuk dhashë të kuptohesha. Isha vetë në timon i shoqëruar nga dy njerëz të mi me makinë. Pasi dola në rrugën e Kinostudios, makina e tyre u vendos pas meje dhe pas tyre makina e SHISH. Jam rrotulluar nëpër Tiranë dhe në çdo metër i kisha pas. Në informacionin që mora më vonë u konfirmua ajo që po ndodhte. Rreth një muaj më vonë u informova konfidencialisht për mbërritjen e një aparature përgjimi që ishte blerë me para cash për SHIU-n, që në fakt është përdorur për përgjimin e presidentit, opozitës dhe krerëve të institucioneve ligjzbatuese, një aparaturë që sot, sipas informacioneve, gjendet e prishur, pasi i është marrë serveri pas dorëzimit të pushtetit në vitin 2013. Pikërisht për këtë aparaturë u ngrit gjatë legjislaturës që pasoi, në zgjedhjet e vitit 2013, një komision hetimor parlamentar, që kaloi si pa u vënë re dhe zbulimi më i madh ishte fakti që aparatura ekzistonte, por ishte e prishur.

Pyetjeve pse erdhi kjo aparaturë, kush e përdori dhe në ç’mënyrë u përdor, nuk i erdhi asnjë përgjigje. Amatorizëm apo e qëllimshme? Mister!

Gjatë fushatës së zgjedhjeve në maj 2013 ishin këta njerëz të SHIU-t që me porosi mbyllën ciklin, duke ulur helikopterin e ushtrisë në oborrin e shtëpisë sime dhe duke terrorizuar fëmijët e mi. Komandanti i Forcave Ajrore denoncoi fluturimin pa leje dhe vetëm disa ditë më pas u shkarkua nga detyra. Në seancën plenare të radhës mbajtur në Parlament të dielën pasdite, datë 23 janar, filloi të instalohet një grusht i vërtetë shteti me atë fjalim patologjik e skizofrenik të Sali Berishës, i cili filloi të fabrikojë skenarin B, të puçit të organizuar sipas tij nga kryetari i shtetit, SHISH, Prokurorja e Përgjithshme dhe në fund opozita.

Sikurse e thashë më parë, problemi nuk ishte më politik, duke e lënë opozitën mënjanë, por kushtetues e ligjor, pasi Berisha i frikësohej hetimit që po zhvillohej për vrasjet në bulevard.

Në fund të seancës, me votat qeveritare u ngrit komisioni famëkeq që do të hetonte “grushtin e shtetit”, duke futur në hetim presidentin e të gjitha institucionet e cituara më sipër. Ky komision do të drejtohej nga Eduart Halimi, një njeri militant me tipare naziskine, provincial dhe i padalluar si profesionist, që të bardhën e bënte të zezë dhe anasjelltas, karrierist dhe pa asnjë formim etik, që para se të futej në Parlament kishte studio legale në kullat luksoze përballë Kryeministrisë. Ky njeri do të udhëhiqte komisionin në shtigje të turpshme duke intimiduar krerët e institucioneve ligjzbatuese, të cilët dolën në raport duke dëshmuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre dhe thyerjen e procedurave nga Policia e Garda. Pafytyrësia e kreut të komisionit arriti kulmin kur u kërkua që presidenti të dilte para komisionit në mjediset e Kuvendit. Në këto kushte thirra Spiro Peçin, këshilltar ligjor, njeri me reputacion të lartë dhe profesionist elitar.

— Spiro, e shikon ku po arrin marrëzia e tyre? Dhe më tej vazhdova: — Përgatit informacionin që kërkojnë dhe dërgoja me shkresë. Po të duan le të vijnë në Presidencë. Nuk shkon kryetari i shtetit tek ata!

— Absolutisht ashtu është! — tha Spiro. — Po bëj gati përgjigjet dhe mendoj të dal në një konference për mediat!

U lajmërua një konferencë në orët e mesditës dhe Spiro, i logjikshëm dhe elokuent, mbylli përfundimisht rrugën e pretendimeve absurde të Eduart Halimit. Ata kishin humbur një betejë publike me kreun e shtetit, duke dëshmuar dështimin e qëllimit të tyre, të cinizmit, të filozofisë antishtet dhe të përpjekjeve për të mbuluar vrasjet e njerëzve të pafajshëm. Ndonëse këtij komisioni hetimor i është shtyrë afati dy herë, është i vetmi komision që e mbylli me turp misionin pa dhënë raportin final, që është detyrim kushtetues.

Edhe ata e kishin kuptuar që po luftonin kundër të vërtetave, që kurrë nuk ishin me ta. Thirrjet që vinin nga institucionet ndërkombëtare, të cilët vendosën ta zgjidhin krizën duke mbajtur besimin te presidenti, ishin për qetësi dhe vetëpërmbajtje. i dërguari i posaçëm i BE-së ishte Lajçak, një nëpunës i lartë i Brukselit. Ndërkohë, Edi Rama gjatë javës që pasoi 21 janarin kishte njoftuar për një protestë në heshtje, në kujtim e nderim të të vrarëve në bulevard. Ambasadori Arvizu ishte deklaruar që të evitohej një gjë e tillë në kushtet kur tensioni ishte i madh. Edi Rama ishte i vendosur dhe nuk njihte asnjë tërheqje nga ajo që kishte deklaruar për demonstratën e 28 janarit.

Të hënën, datë 24 janar 2011, gjatë paradites Edi Rama më telefonoi dhe kërkoi të më takonte për të biseduar rreth situatës politike gjatë dy ditëve pas vrasjeve në bulevardin e Tiranës. Dita kishte filluar shumë intensive, ku herët në mëngjes prita një delegacion të OSBE-së, të cilët kishin mbërritur në Shqipëri posaçërisht për ngjarjet e fundit. Takimin me Edi Ramën e fiksova për në orën 13:30, takim në të cilin do të ishte e pranishme stenografja Pavlina Terpini, një grua me një eksperiencë të gjatë në këtë profesion. Kurrsesi ky takim nuk mund të ishte kokë më kokë, siç mund të ndodhë jo rrallë në takime, që të mos regjistrohej.